Ish-deputeti i PD Gent Strazimiri, i cili rreshtohet si mbështetës i ish kryeministrit Sali Berisha ishte sot në selinë e PD për një mbledhje me Aldo Bumçin dhe Ivi Kason, por gjetën dyert e mbyllura.
Gazetarët i bënë me dije se kreu i PD Lulzim Basha ishte në kafe, ku ftoi edhe gazetarët. Për këtë, Gent Strazimiri tha se nuk ka punë tjetër veçse të konsumojë kafen dhe shtoi se dera e mbyllur tregon frikë nga demokratët.
Sipas Strazimirit, qëllimi është thjesht të mbajnë godinën mbyllur, por me bindje thotë se me 8 janar do i kthejnë shtëpinë demokratëve.
Pyetje: E keni në kafe tani keni gjë për t’i thënë?
Strazimiri: Nuk ka punë tjetër veçse të pijë kafe. Premtoi betejë pa kompromis. Ky oborr i shkretëtirës, godina e zbrazëtisë së madhe. Nëse do kishte betejë nuk do ishte në kafe. Sot ky oborr do gumëzhinte nga demokratët. Asnjë demokrat s’duhet të kishte dilemën a do i hapet dera apo jo. Ky oborr i zbrazët, kjo godinë e mbyllur në këtë mënyrë tregon frikën nga demokratët, jo nga regjimi, me regjimin e ka grurë. janë 44 mijë vetë që duan të hyjnë në PD më datë 8. Këta thjesht kanë ndërmend ta mbajnë të zbrazët e të shkretë këtë godinë. Më datën 8 do marrin xhevapin, kjo është shtëpia e demokratëve. Kjo godinë dhe ky oborr nuk mund të rrinë të zbrazëta”.
Top Channel