Kryeministri Rama ka qenë i pranishëm në inaugurimin e Pediatrisë së Re, në qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’.
Kreu i qeverisë, i shoqëruar nga Ministrja Manastirliu dhe drejtoresha Fico, u shpreh përballë mjekëve dhe infermierëve se personelit mjekësor do i jepet mundësia që të vlerësohen sipas meritës, ndërsa tha se kush punon e shërben më shumë sigurisht që do të paguhet më shumë!
Kryeministri shtoi se i gjithë procesi i të ardhurave që janë në dispozicion të spitaleve do të kalojnë përmes kësaj strukture të re që u jepet trupave shëndetësorë, ndërsa këta të fundit do të kenë pushet vendimmarrës në furnizime, investime, etj.
Rama thotë se synimi është që brenda këtij mandati 4 vjeçar QSUT të kthehet në kompleksin më modern në gjithë Rajonin me standardet më të mira dhe përmirësim të kapacitetit të shërbimeve.
Më tej, kreu i qeverisë shton se këtë vit pritet një tjetër rritje e pagave bazë për uniformat e bardha.
Rama: Do i jepet mundësi personelit mjekësor që të vlerësohen sipas meritës dhe meritën ta vënë në pah. Kush punon më shumë, kush shërben më shumë, kush kryen më shumë ndërhyrje, vizita, sipas setit të kritereve do të paguhet më shumë. I gjithë procesi i të ardhurave që janë në dispozicion të spitaleve të kalojnë nëpërmjet kësaj strukture të re që u jep trupave shëndetësore pushtet vendimmarrës për shumëçka, përtej pagës së tyre, për furnizimet, për investimet. Është e rëndësishme që ti japim mjekëve mundësinë që të paguhen më shumë, jo vetëm duke rritur pagën bazë, më lart do të ngjiten ata të cilët i japin më shumë sistemit për shkak të aftësisë së tyre.
Puna këtu vazhdon, më vjen mirë që sipas parashikimeve tona brenda këtij mandati përmbyllim çdo pjesë të QSUT që ka nevojë të hyjë në këtë standard dhe kthehet në kompleksin më modern të Rajonit dhe jo vetëm Shqipërisë. Kjo nuk ka krahasim me pediatrinë që ishte ju e shihni vet. Në këtë standard, me gjithë ndërhyrjet e tjera, me kardiologjinë, spitalin e sëmundjeve të brendshme, djegiet plastike etj, kompleksi do të jetë perfekt. Synohet përmirësimi kapaciteti i shërbimeve, të rrisim vlerën e meritës, t’u japim atyre që janë lidera në shërbim për shkak të aftësisë mundësinë që të paguhen në mënyrë optimale, të rrisim edhe bazën. Këtë vit do të bëjmë një tjetër rritje pagash dhe çdo vit do të bëjmë rritje pagash, synimi është të arrijmë në 40+. Më vjen mirë që arritëm këtë ditë që mendojmë më shumë se një herë edhe për aspektin estetik. Një program i ri i qeverisë është të stimulojmë praninë e artit urban, dekorative në hapësira publike dhe institucione. Edhe në këtë aspekt QSUT do të ndryshojë që të bëhet një mjedis ku të ndihesh vërtet mirë, ku të sjellë halli por ku drita atmosfera ta lehtësojnë atë pjesë të hallit, që mund të lehtësohet pa ndërhyrjen e bisturisë.
Top Channel