Kryedemokrati Lulzim Basha duket se i ka marrë mirë masat për të mbrojtur selinë blu, pas protestës së 8 janarit të paralajmëruar nga Sali Berisha.

Në fotot e publikuara së fundmi, ai ka vendosur derë të blinduar në hyrjen anësore të godinës, në korridorin e zyrave të FRPD-së.

Por kreu i Partisë Demokratike në një lidhje live në emisionin “Open” në Top Channel i komentoi si marrëzira të gjitha akuzat se ai po fortifikon selinë blu.

Sipas Bashës, PD-ja ka vetëm një interes, të jetë e hapur për demokratët dhe se Sali Berisha po i përdor ata si mish për top.

Ai gjithashtu ka ironizuar se në selinë e PD-së ndodhen snajper, tanke e ushtarë, duke nënkuptuar se thjesht po bëhen rikonstruksione në godinë dh asgjë tjetër.

“Keni harruar që kemi edhe tanke, edhe snajper, marinsa, janë të gjitha marrëzira, është e trishtueshme që viti i ri shqiptarët i gjen në një xhalo të tillë të servirur, ndërsa ata përballen me problem reale, ekonomike. Ai do ta kthejë PD-në në bunkier, përpjekja e një njeriu për ta marrë peng PD-në. Për t’i përdorur demokratët si mish për top, në zyrën time mund të vini për një kafe që nesër se është e njëjta që ka qenë. Çfarë ndodh në tarracën e PD-së ato që janë thënë janë përtej imagjinatës së shfrenuar. PD ka një tjetër interes të jetë e hapur për demokratët. Edhe po të mos kishte mure PD-ja, ai do të ishte njeriu më i vetëm, edhe nëse ai sot do të ishte kreu i PD-së”, tha Basha.

Në lidhje me moslejimin e hyrjes në seli prej dy ditësh të Grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, ai e komentoi si një show të tyre për të larguar vëmendjen nga problemet reale të shqiptarëve. Sipas Bashës, Berisha bashkë me mbështetësit e tij është kthyer në tub oksigjeni për të mbuluar skandalet e qeverisë.

“S’është fare e vërtetë, edhe këtë e ka sqaruar në mënyrën më shteruese sekretari i përgjithshëm në deklaratën që i ka dhënë mediave, pjesë e së cilës ju sapo e dhatë në sinkron aty. Ai ishte një shoë për të treguar se gjoja Partia Demokratike tani qenka një bunker, kur në fakt janë ata një pakicë absolute që po përpiqen ta kthejnë Partinë Demokratike në bunker. Ndërkohë që Partia Demokratike nuk do të bëhet bunker as për hallet e Sali Berishës, as të atyre që e shoqërojnë dhe që kanë probleme të ngjashme apo dhe më të rënda. Sigurisht ka mes tyre shumë demokratë të cilët janë të zhgënjyer, të dëshpëruar nga masakra zgjedhore. Ata janë meraku im. Kurse për këta që bëjnë shfaqje, këta në radhë të parë duhet të vijnë në Parlament duhet të bëjnë detyrën për të cilën i kanë votuar demokratët, se kanë 4 muaj që s’kanë parë derën e Parlamentit. Këta duhet të shkojnë në zonë të qajnë hallet e njerëzve. Janë kthyer në tub oksigjeni për Edi Ramën, se edhe sot, edhe dje kanë plasur skandale të tjera. Ka plasur skandali që vërteton që Patronazhistët janë një sistem kontrolli i partisë shtet”, tha kryedemokrati.

Për videot që posedon Basha, ku tregohet se vetëm 10% e demkkratëve të përmendur nga Berisha kanë votuar shkarkimin e tij, kryedemokrati tha se ka edhe prova të tjera që gjykata do t’i hetojë.

“Përgjigjja është po. Pse nuk po i publikojmë? Pamjet që u dhanë nuk janë thjesht pamje, janë prova filmike të një kamere ngjitur me një qendër ku numërohen ata që kanë votuar dhe që janë 10% e asaj që ka deklaruar Berisha dhe është ajo që është mburrur Berisha më shumë. Është ajo qendër. Tani, që te kuptosh që një fuçi vere është e prishur, mjafton një gotë. Kur kjo ishte qendra që u mburr më shumë Sali Berisha mendoni si është në të gjithë Shqipërinë. I kemi të gjitha faktet, i kemi provat, edhe filmike por nuk na jep kënaqësi, përkundrazi. Është një turp që Sali Berisha dhe një grusht njerëzish përdhosin dinjitetin e një partie duke u sjellë në këtë mënyrë, duke mashtruar haptazi.  Kanë gënjyer gjithë kohën. Kanë mashtruar gjithë kohën. Kanë shpifur gjithë kohën.

Kanë manipuluar faktet gjithë kohën. Dhe këto kanë filluar të dalin siç doli ky filmim, siç doli ky filmim  ka edhe shumë të tjerë dhe ata e dinë sepse ata e dinë se çfarë kanë bërë ndaj kanë filluar gjuhën e urrejtjes, kanë filluar gjuhën e sulmeve, gjuhën e shpifjeve, të dhunës, të nxitjes së dhunës, të një gjuhë shtazarake që përdorin një grusht njerëzish janë, mund të kenë 10, 20, 30 identitete nga këto qendrat ku punojnë po një gjuhë shtazarake që sulmojnë zonjat, sulmojnë fëmijët, fëmijët e demokratëve. Këta nuk kanë të bëjnë me Partinë Demokratike, s’kanë të bëjnë as me ata njerëz që deri dje shkonin pas Sali Berishës të zhgënjyer dhe të zemëruar nga masakra zgjedhore dhe nga regjimi i Edi Ramës. Grupi “na bashkoi non grata amerikana”, që ka një qëllim, si fillim të asgjësojë Partinë Demokratike, si i vetmi institucion opozitar i qëndresës kundër regjimit, kundër masakrës zgjedhore dhe pa diskutim, si një parti properëndimore, pro ShBA, pro BE”, tha Basha.

Prej ditësh tashmë po bëhen punime në selinë blu, janë shtuar kamera sigurie, ndërsa Grupi i Rithemelimit të PD-së, mbështetës të Berishës nuk janë lejuar të futen në godinë.

Data pesë janar ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor.

Basha jo vetëm që s’i është dorëzuar ultimatumit të vendosur nga Berisha, por nuk ka lejuar edhe anëtarët e  Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, mbështetës të Berishës të futen në seli.

Situata e ndërlikuar prej muajsh brenda PD-së, duket se nuk do të ketë një fund, ndërsa dita-ditës rëndohet.

Nga ana tjetër, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokrati, Gazment Bardhi, protesta e thirrur nga Berisha është një thirrje për dhunë, që favorizon vetëm qeverinë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ndërsa këtë të mërkurë, Aldo Bumçi pjesë e Grupit të Përkohshëm të Rithemelimit u shpreh se bunkieri do të çlirohet ditën e shtunë dhe do të kthehet në shtëpinë e demokratëve.

Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë të shtunën, në protestën e paralajmëruar nga Berisha, nëse do të ketë skena dhune apo do të jetë një protestë paqësore.

Top Channel