“Ka shndërruar selinë e PD si shpellat e grupeve terroriste!” Berisha: Basha nuk ka probleme të shëndetit mendor por…

06/01/2022 15:06

Ish kryeministri Sali Berisha ka folur para demokratëve në Fier për 31-vjetorin e themelimit të degës së këtij qyteti. Nuk mungoi komenti i Berishës për personat që nuk i janë bashkuar duke i kërkuar arsyetimit dhe vëmendjen e tyre në mënyrë të veçantë.

Përveç kësaj, Berisha tha se është pyetur nëse Basha ka problem të shëndetit mendor, por sipas tij është person me çështje madhore të moralit njerëzor dhe e cilëson si “farë të keqe të moralit njerëzor”.

Berisha: Njerëzisht kërkoj arsyetimin dhe vëmendjen tuaj por në mënyrë të veçantë të të gjithë atyre anëtarëve e mbështetësve të PD që nuk u bënë pjesë e këtij procesi. Këtu nuk është çështje karrige. Çfarë na tha 2 muaj më parë? Tha nuk më shkarkon Kuvendi se më ka votuar anëtarësia. Ne vendosëm çmendurisht ta sjellim tek ju që kishit votuar në qershor, të vendosnit ju për shkarkimin e tij. Kur ju me firmën tuaj, 44 mijë demokratë firmosët shkarkimin e tij, ai harroi gjithçka dhe deklaroi se nuk njoh Kuvendin, nuk njoh referendumin në të cilin votuan kundër tij 10 mijë demokratë më shumë se në qershor për zgjedhjen e tij.

Pa asnjë lloj standardi dhe norme morale për të bindur shqiptarët se është bërë famoz në problemet e matematikës, u thotë se 1958 delegatë që nuk ishin çereku i tyre delegatë në Pallatin e Kongreseve ishin 5004 delegatë. Shumë kanë shtruar probleme nëse është ky zotëri me çështje madhore të shëndetit mendor, unë u them jo. Ky njeri është me çështje madhore të moralit njerëzor. Është një peng i vërtetë në afera të mëdha korruptive. Nuk kemi të bëjmë me një njeri me çrregullime të shëndetit mendor, por me një farë të keqe të moralit njerëzor që nuk njeh asnjë normë, asnjë standard.

Berisha foli edhe për protestën e thirrur më 8 janar për shkarkimin e Lulzim Bashës duke përmendur faktin që grupi i rithemelimit ka mbërritur sot në selinë e PD, por i kanë gjetur dyert e mbyllura. Sipas Berishës, kryedemokrati e ka shndërruar selinë e PD si shpellat e grupeve terroriste në botë,

Berisha: Data 8 është një datë historike. Jo vetëm për PD, por për Shqipërinë dhe kombin shqiptar sepse për herë të parë në historinë e këtij kombi, për herë të parë në historinë e një force politike, vendimin supreme të referendumit dhe anëtarësisë e zbaton në një protestë paqësore vetë anëtarësia e PD. Shumë mesazhe kam marrë këto ditë.

Disa thonë se ky njeri nëse do kishte qenë kryeministër me këto që thotë, nuk do të kishte pranuar kurrë humbjen. Në aktin më të turpshëm që tejkalon çdo imagjinatë sikur të ishte produkt i zyrave të policive sekrete terroriste, sikur të ishte produkt i grupeve terroriste, ky njeri kthehet dhe vendos dyer e blinda të reja në selinë e PD, e shndërron absolutisht sic kanë qenë dikur degët e punëve të brendshme të Enver Hoxhës apo siç janë sot shpellat e grupeve terroriste në botë.

Top Channel