Grupi i Përkohshëm i Rithemelimit ka mbërritur në godinën e selisë së PD por ka gjetur sërish derën e mbyllur. Në fjalën e tij para mediave, Aldo Bumçi tha se kishin caktuar një mbledhje pune me Gent Strazimirin dhe Ivi Kason ndaj zgjodhën ta bënin në PD.
Mbylljen e derës e cilësoi si kriminale dhe projekt për të zhdukur opozitën, por me bindje u shpreh se protesta e thirrur nga Berisha për ditën e shtunë do ta çlirojë këtë “bunker” dhe ta kthejë në shtëpinë e demokratëve.
Bumçi: Qoftë një vit i mbarë. Kemi ardhur këtu bashkë me Strazimirin e Ivi Kason. Kishim caktuar një mbledhje pune dhe vend tjetër për ta bërë veç shtëpisë tonë nuk ka. Tashmë është shtëpi e mbyllur është kthyer në një bunker. Ka qenë një derë e hapur përherë. Çdo parti në Shqipëri i ka dyert e hapura. Pyetja është e thjeshtë? Kujt të mire i shërben kjo. Të më gjejë dikush një të mirë që opozita të kthehet në bunker, në burg. Nuk i shërben askujt veçse Lulzim Bashës që të mbajë karrigen e tij dhe Edi Ramës. Ky turp, kjo shëmti, është kriminale, projekti për të zhdukur opozitën. Kjo është opozita e Lul Bashës, por ka dhe një tjetër, ajo që mbushi Air Albanian por ditën e shtunë do e çlirojë këtë bunker dhe ta kthejë në shtëpinë e demokratëve.
I pyetur se si do të bëhet çlirimi dhe nëse do të ketë konflikt fizik, Bumçi tha se janë treguar të qytetëruar. Ndër të tjera i bëri thirrje deputetëve të PD që të sillen si njerëz të politikës që janë votuar nga 44 mijë demokratët që hodhën votën e tyre për shkarkimin e Bashës. Për këtë të fundit thotë se nuk do të lejojnë që vullneti i demokratëve do të nëpërkëmbet.
Bumçi: Unë e kuptoj interesin për çështje teknike. Këtu problem është politik. Ne jemi treguar të qytetëruar. Keni parë ti bllokohet hyrja Lulzim Bashës? Ne mund ta bënim këtë por nuk e bëmë. Vendosëm të mos e zgjidhnim konfliktin në rrugë, por institucionet. Përsëri kërkuam konsensus, tha jo. Mund të kishim ndërhyrë me 8 dhjetor, 11 dhjetor. Kjo nuk është çështje kapriço dhe force. 44 mijë demokratë kanë votuar dhe vullneti i tyre nuk mund të nëpërkëmbët. Kam një thirrje për ata që mbështesin Bashën, nuk mund të fshihen në neutralitet, kanë votuar ata që i kanë bërë deputetë, nuk mund të sillen si njerëz jo politikë. Nuk mund të dhunojnë 90%.
Top Channel