Një makinë e djegur tip “Audi Q7” është gjetur në një zonë të thellë në fshatin Trevllazër dhe dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes së djeshme ku mbeti i plagosur 36 vjeçari Diego Hanaj.
Policia ka rrethuar zonën dhe nga informacionet e para të policisë, makina është djegur totalisht dhe janë gjetur dy krehra me fishekë kallashnikovi. Ende nuk dihet nëse ka armë brenda apo jo pasi makina është djegur totalisht.
Policia e Vlorës po vijon hetimet rreth aktivitetit të plagosurit. Ndërkohë janë marrë në pyetje 8 persona banorë të lagjes ku ndodhi dhe atentati.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ditën e sotme, duken qartë shenjat e plumbave që kanë mbetur në xhamat e dyqaneve po ashtu dhe njolla gjaku në trotuar ku ka kaluar 36 vjeçari.
36 vjeçari Hanaj ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet pranë banesës së tij. Pasi ka dalë nga lokali po shkonte tek hyrja e pallatit pranë banesës së tij dhe është shtënë ndaj tij nga një makinë në lëvizje.
Diego Hanaj mori një plumb në dorë ka lëvizur për rreth 50 metra ndërkohë duke u ndjekur nga autorët dhe qëlluar me armë automatike ndaj tij, por për fat plumbat nuk e kanë prekur, veçse një plumb në momentin e parë.
Dyshohet se makina që ka qenë në ndjekje të tij dhe që është qëlluar brenda saj është tip “Audi”, për të cilën nuk ka ende asnjë shenjë të saj. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së bizneseve aty pranë, por ende nuk ka pistë hetimi.
Ndërkohë, nuk ka ende detaje për të shkuarën e 36-vjeçarit.
Top Channel