Dyer të blinduara/ A janë këto ambientet e brendshme të PD? Topalli poston foton: Pa fjalë!

06/01/2022 22:26
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli

Ish-kryeparlamentarja shqiptare, Jozefina Topalli ka publikuar foto nga ambientet e brendshme të Partisë Demokratike, ku shikohet një derë e blinduar.

Kujtojmë se foto të tjera janë publikuar, ku tregohet blindimi i disa prej dyerve të godinës e kamera të shtuara sigurie.

Ndërsa nga ana tjetër kryedemokrati Lulzim Basha e mohon se në godinë po merren masa për protestën e 8 janarit të paralajmëruar nga Sali Berisha.

Sipas tij po kryhen rikonstruksione normale, pasi po hapen sekretariate të reja.

Data pesë janar ishte dita e fundit e afatit të vendosur nga Berisha që kryetari aktual i PD-së, Lulzim Basha të largohet nga posti, pasi sipas tij u shkarkua me votën e lirë nga 4446 delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD-së, të datës 11 Dhjetor dhe nga 44 mijë anëtarë të PD-së, që morën pjesë në Referendumin e Partisë Demokratike të datës 18 Dhjetor.

Basha jo vetëm që s’i është dorëzuar ultimatumit të vendosur nga Berisha, por nuk ka lejuar edhe anëtarët e  Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të Partisë Demokratike, mbështetës të Berishës të futen në seli.

Situata e ndërlikuar prej muajsh brenda PD-së, duket se nuk do të ketë një fund, ndërsa dita-ditës rëndohet.

Nga ana tjetër, sipas sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokrati, Gazment Bardhi, protesta e thirrur nga Berisha është një thirrje për dhunë, që favorizon vetëm qeverinë, e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ndërsa këtë të mërkurë, Aldo Bumçi pjesë e Grupit të Përkohshëm të Rithemelimit u shpreh se bunkieri do të çlirohet ditën e shtunë dhe do të kthehet në shtëpinë e demokratëve.

Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë të shtunën, në protestën e paralajmëruar nga Berisha, nëse do të ketë skena dhune apo do të jetë një protestë paqësore.

Fotoja e publikuar nga Jozefina Topalli

Top Channel