Basha konsumon kafen e mëngjesit me gazetarët, ndërsa një grup deputetësh të Komisionit të Rithemelimit nisen drejt PD

06/01/2022 11:09

Lulzim Basha të enjten në mëngjes mbërriti në seli sapo u njoftua se disa anëtarë të Komisionit të Rithemilimit do të tentojnë të zhvillojnë edhe ditën e sotme një mbledhje në mjediset e brendshme të godinës së Partisë Demokratike. Ndërsa përkrahësit e ish-kryeministrit Berisha ishin nisur për të mbërritur në seli, kryedemokrati ka preferuar të konsumojë një kafe me disa gazetarë në mjediset e një bar-kafeje që ndodhet në oborrin e selisë së PD-së.

Për anëtarët e Komisionit të Rithemelimit përballja me dyert e mbyllura të godinës nuk ishte një surprizë e re për ta, pavarësisht se ishin kujdesur të lajmëronin se do shkonin për të zhvilluar vetëm një mbledhje. Në fakt, shfaqja e tyre, ngjante më tepër një përpjekje për të mbajtur gjallë tensionin e brendshëm e se ultimatumi mbetej në fuqi, si dhe për të dëshmuar se kishin pasur të drejtë kur akuzuan Lulzim Bashën se po vazhdon të blindojë selinë e partisë, duke e krahasuar me ish burgun famëkeq amerikan Alkatraz.

Një nga anëtarët e këtij Komisioni, ish-deputeti i PD-së, Aldo Bumçi tha para gazetarëve të pranishëm aty se dera e kësaj selie ka qenë e hapur edhe në vitin 1997. Ai theksoi se ka ardhur në selinë e PD-së së bashku me Gent Strazimirin, Ivi Kason dhe me disa drejtues të degëve të Tiranës, pasi sipas tij, këto kryetarë degësh përfaqësojnë zonat që ata kanë mbuluar gjatë fushatës elektorale dhe që sot ata kishin caktuar një mbledhje pune.

Vend tjetër për ta bërë, përveçse shtëpisë sonë, PD, nuk ka. Kjo tashmë është kthyer në një bunker. Një parti që nuk ka qenë e mbyllur në këto 30 vite asnjëherë, ka qenë një derë e hapur përherë,” tha Bumçi, ndërsa theksoi se ishte Basha ai që mbylli dyert për të ruajtur karrigen e tij.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi e ka konsideruar tentativën për të zhvilluar mbledhje në mjediset e selisë si një show mediatik, sepse sipas tij, në godinën e Partisë Demokratike, në ambientet e brendshme të saj, janë duke u kryer punime dhe ky është një fakt i njohur publik, që nuk ka nevojë me ardhur dikush dhe me trokit në dyert e Partisë për ta provuar.

Ai ashpërsoi më tej tonet kur tha se selia qendrore e PD-së ka qenë, është, dhe do të jetë e hapur për çdo demokrat të sakrificave që punon me mund dhe djersë për Partinë Demokratike, siç do të jetë gjithmonë e mbyllur për çdo trafikant droge që në çdo shëtitje në selinë qendrore të Partisë Demokratike ka qenë krah Sali Berishës dhe mbështetësve të tij.

Ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij reaguan sërish, duke u shprehur se në vend të respektimit të afatit që skadonte në 5 janar, “deputeti Basha, peng mjeran i Edi Ramës për aferat e tij, reagoi në mënyrën më të turpshme e kriminale. Ai shfrytëzoi ditët e afatit tolerant, jo për të mbledhur rraqet e veta por për të blinduar dyer, hyrje e dritare të Selisë së demokratëve shqiptarë, sikur ta kishte pronë private, njëlloj dhe me të njëjtin projekt si Pengmarrësi i tij, ndërtesën e Kryeministrisë”.

Në deklaratën e tij, Komisioni i Rithemelimit “paralajmëron binomin Rama – Basha se, për skenarin e tyre antidemokratik dhe destabilizues do të marrin si përgjigje të merituar turpin e historisë”.

Prej disa muajsh Partia Demokratike është përfshirë në një betejë të brendshme, mes Bashës dhe ish pararendësit të tij Berisha, i cili synon të rimarrë drejtimin e forcës kryesore të opozitës, pasi u la jashtë grupit parlamentar, për shkak të shpalljes non grata nga Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA