Menaxheri i lokalit ku ndodhi atentati një ditë më parë në “Don Bosko” në Tiranë, që la një viktimë dhe katër të plagosur ka dhënë detaje të reja për emisionin ‘Shqipëria Live’.

Menaxheri Daniel Lika tregon se si ndodhi ngjarja e rëndë, ndërsa thotë se automjeti tip mercedes-benz pasi është afruar drejt lokalit ka nisur të qëlloj me breshëri kallashnikovi në njërin drejtim, e më pas kanë kthyer makinën me shpejtësi dhe kanë qëlluar sërish me breshëri.

Në lokal ndodheshin 4 ose 5 tavolina në momentin kur ndodhi krimi thotë Lika ndërsa shton se, asnjë nga kamerieret apo banakierët nuk ka mbetur i lënduar, duke hedhur poshtë dyshimet se 19-vjeçari Azbi Selmanaj, i cili mbeti i plagosur dje, të ketë qenë punonjës i lokalit.

“Kur ishim në lokal një grup kaloi me makinë dhe gjuajti në drejtim të krahut të majtë pastaj dolën në krahë të djathtë. Kanë qenë 4-5 tavolina në lokal kur ndodhi ngjarja. Kamarier edhe banakier kanë qenë këtu brenda. Asnjë kamarier nuk ka qenë i dëmtuar siç ka dalë më herët”, tha Lika.

Menaxheri tregon se viktima, Erion Cela, së bashku me bashkëshorten e tij, ishin klientë të përditshëm, pasi pranë këtij lokali ata kishin edhe biznesin e tyre. Lika thotë se Erjoni nuk ka qenë një njeri i sherreve apo konflikteve

“Kanë qenë të përditshëm sepse kanë një biznes me lokalin tonë, mund të kenë pas konflikte të vjetra por këtu te lokali s’kanë pas asnjë konflikt. Nuk është një njeri tip i sherreve, por këtu nuk kanë bërë ndonjëherë sherre apo për ndonjë konflikt afër lokalit”.

Menaxheri thotë më tej se viktima dhe të plagosurit po konsumonin kafe dhe ishin me gratë e tyre, ndërsa ato ishin larguar vetëm 5 minuta pasi në drejtim të tyre të qëllohej me breshëri kallashnikovi.

“Panik, të bërtitura, ikën me vrap, shumë frikë për klientët për stafin. Ambulanca nuk e di për sa minuta por u vonua, viktima doli për rreth një orë nga lokali. Bashkëshortja ishte pesë minuta para se të ndodhte ngjarja në tavolinë ndërsa 5 minuta pasi u largua që aty ndodhi atentat”, tha Lika.

Atentati i të martës dyshohet të ketë pasur si shënjestër Edmond Crrojin, i cili është njëri nga personat që ndodhet në gjendje kritike në reanimacionin e spitalit të Traumës. Ndërsa dy personat e tjerë, Arben Dani dhe Azbi Selmanaj ndodhen në pavijon dhe jashtë rrezikut për jetën.

Crroji mbeti i plagosur në pjesën e barkut dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Gjendja e tij sipas mjekëve duket e stabilizuar për momentin, por gjithsesi ka nevojë për kujdes intensiv nga bluzat e bardha.

Në gjendje të rënduar vazhdon të jetë edhe i vëllai i viktimës, i cili ka mbetur i plagosur në pjesën e fytyrës. Me kërkesë të familjarëve të tij, Blerim Çela është dërguar në një spital privat në kryeqytet dhe po merr trajtim të specializuar.

Në vendin e ngjarjes policia nuk ka gjetur gëzhoja ndonëse hetuesit kanë dyshime se është qëlluar rreth 15 herë. Ky element shton dhe më tej dyshimet se ka qenë një atentat i mirëorganizuar.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA