Tension mes Greqisë dhe Turqisë/ Ministrat e jashtëm të dy vendeve rëndojnë gjuhën e ashpër të deklaratave

05/01/2022 15:34

Fillimi vitit 2022 ka gjetur përsëri Greqinë e Turqinë në një moment tensioni, ku Athina zyrtare flet për një përshkallëzim të retorikës agresive të Ankarasë, që sipas ministrit të Jashtëm, Nikos Dhendias ka marrë përmasa që nuk janë parë më parë.

Kjo ka ndodhur pas një deklarate që ka bërë kreu i diplomacisë greke në takimin e tij me homologun e Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan, ku ka kërkuar heqjen e statusit të gjendjes së luftës nga ana e Turqisë, të ashtuquajturit ‘casus belli’.

Do doja të formuloja një propozim shumë të thjeshtë ndaj qeverisë turke, për të vërtetuar besimin e saj ndaj së Drejtës Ndërkombëtare në praktikë, domethënë të fillojë ta zbatojë atë. Një veprim i thjeshtë dhe i shpejtë do të ishte ç’fuqizimi i menjëhershëm i ‘casus belli’ dhe njohja e menjëhershme e mosekzistencës së memorandumit Turqi-Libi”, tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Nikos Dhendias ka theksuar gjithashtu se Turqia nuk mund të flasë për demilitarizim të ishujve grekë, ndërkohë që ka dislokuar forcën më të madhe ushtarake amfibe përballë tyre. “Nëse ka një kërcënim në rajon, ai buron nga veprimet e njëanshme të Greqisë që rrisin tensionet”, ka deklaruar mëngjesin e së mërkurës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Tanzu Bilgic.

Janë zyrtarët e qeverisë turke ata që kërcënojnë sistematikisht drejtpërdrejt Greqinë dhe madje vënë në dyshim sovranitetin e saj territorial”, ka qenë përgjigja e menjëhershme e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke.

Sa i përket takimit me kryediplomatin e Arabisë Saudite, burime diplomatike greke thonë se ai është pjesë e përpjekjeve që bën Athina për lidhje më të ngushta dhe bashkëpunim ushtarak me këtë shtet dhe fuqi të tjera rajonale, duke përfshirë Izraelin dhe Egjiptin, pasi marrëdhëniet e saj me Turqinë fqinje mbeten të tensionuara për shkak të mosmarrëveshjeve të gjata për kufijtë detare ne Mesdhe.

Top Channel