Situatë dramatike në Bayern Munchen, infektohet edhe ‘raketa’ e krahut

05/01/2022 17:07

Si shumë klube të tjera të futbollit, edhe Bayern Munchen po përballet me një situatë të vështirë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Alphonso Davies është lojtari i fundit i ekipit bavarez që ka rezultuar pozitiv me Covid-19. “Raketa” e krahut të majtë ka filluar menjëherë karantinën.

Te Bayerni po luftojnë me koronavirusin edhe lojtarë si Manuel Neuer, Leroy Sane, Dayot Upamecano, Lucas Hernandez, Kingsley Coman, Corentin Tolisso, Tanguy Nianzou dhe Omar Richards.

Duke llogaritur edhe Leon Goretzkan e dëmtuar, Julian Nagelsmann do të duhet të bëjë llogaritë pa dhjetë futbollistë për takimin shtëpiak të ditës së premte kundër M’Gladbach.

Pas një telefonate me anëtarin e bordit sportiv të Bayernit, Hasan Salihamidzic, drejtori sportiv i Gladbach, Max Eberl, zbuloi sot se bavarezët po kërkojnë të shtyjnë ndeshjen e së premtes.

Vendimin final do e marrë DFL (Liga Gjermane e Futbollit), me Bayernin që duhet të ketë të paktën 15 lojtarë në dispozicion që të ndodhë shtyrja e takimit, duke përfshirë nëntë lojtarë dhe një portier nga ekipi i parë./SS

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA