“Selia një Alkatraz i kohëve moderne”/ Noka: Me 8 janar, ta kthejmë PD-në në shtëpinë e lirisë

05/01/2022 12:57

Një grup anëtarësh të Komisionit të Rithemilimit të PD-së të mërkurën kanë tentuar të futen në mjediset e brendshme të selisë blu, por ata janë përballur me dyert e mbyllura dhe të fortifikuara të ndërtesës, duke mbetur jashtë tyre.

Deputeti i PD-së, Flamur Noka ka tentuar të provojë të tre dyert e selisë, por ato i kanë rezultuar të mbyllura. Në një deklaratë për mediat, pasi u përball me këtë situatë, Noka tha se selia e PD-së është shndërruar në një burg të sigurisë së lartë.

Një grup deputetësh anëtar të grupit parlamentar të PD-së, erdhën sot në seli, në shtëpinë e tyre. Për të zhvilluar një takim dhe një mbledhje për agjendën që do të ketë grupi parlamentar dhe Partia Demokratike për vitin 2022”, tha ai.

Në fjalën e tij Noka u shpreh se ajo çfarë po konstatohet me dhimbje është se sot PD duhej të gumëzhinte e gjitha dhe ku demokratët të gjenin veten në një ambient të tillë, por që për fat të keq, sipas tij, Edi Rama e ka shndërruar selinë e PD-së në një Alkatraz të kohëve moderne.

Ju e shikuat vetë gjithçka që ishte e blinduar, a thua se PD është një burg i sigurisë së lartë. Pengu mund të qëndrojë vetë i burgosur dhe kryeministri Rama t’i krijojë atij kushtet e duhura, por Edi Rama s’mund të burgosë shpirtin e lirë të demokratëve”, tha ai.

Sipas tij, data 8 janar do të jetë dita që demokratët do të marrin frymë lirisht, kur burgun e sigurisë së lartë, ta kthejnë në shtëpinë e tyre të lirisë.

Lulzim Basha ka mbërritur në seli që në orën 10 të mëngjesit. Në seli kanë mbërritur edhe sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi, nënkryetarët dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike.

Nga porta kryesore e PD-së kanë hyrë vetëm Basha dhe Bardhi, ndërsa të tjerët kanë hyrë nga një hyrje e dytë e cila do të përdoret për punonjësit e tjerë të selisë, si edhe gazetarët.

Dritaret janë të veshura me logon e PD-së, ndërsa PD thotë se ndryshimet në pjesën e jashtme të selisë janë bërë për arsye riorganizimi të brendshëm.

FOTO GALERI
1/33

Top Channel