Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, ka pranuar dorëheqjen e qeverisë me një dekret presidencial pasi vendi u përfshi në një valë protestash masive për rritjen e çmimeve të gazit të lëngshëm (LPG).
“Në përputhje me nenin 70 të Republikës së Kazakistanit, unë vendos të pranoj dorëheqjen e qeverisë së Republikës së Kazakistanit”, thuhet në dekretin e presidentit Tokayev.
Sipas dekretit, zëvendëskryeministri i parë Alihan Smailov është emëruar kryeministër i përkohshëm, njoftoi media ruse RT. Edhe pse dekreti hyn në fuqi menjëherë, anëtarët e kabinetit pritet të vazhdojnë detyrën deri në formimin e qeverisë së re.
Ndërsa protestat u përhapën në të gjithë vendin më herët gjatë ditës, Tokayev shpalli gjendje të jashtëzakonshme në qytetin Almaty dhe rajonin e pasur me naftë Mangystau në perëndim midis 5-19 janarit për të ruajtur sigurinë publike. Ai vendosi gjithashtu orë policore në Almaty, ish-kryeqyteti i vendit, ku mijëra njerëz kishin dalë në rrugë.
Ndërsa policia përdori granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ata u përgjigjën me gurë. Gjithashtu u raportuan përleshje mes policisë dhe demonstruesve si dhe vandalizim dhe djegie e makinave të policisë nga protestuesit.
Qeveria ka kufizuar gjithashtu aksesin në aplikacionet e mediave sociale duke përfshirë Facebook dhe Telegram.
Protestat shpërthyen më 2 janar kur shoferët mbajtën demonstrata kundër rritjes së çmimeve të LPG-së në qytetin Zhanaozen në Mangystau, të cilat më vonë u përhapën edhe në qytetin Aktau.
Protestat në qytetet perëndimore Atyrau, Aktobe dhe Oral, ku ndodhen rezervat e naftës dhe gazit natyror të vendit, u përhapën në skajet tjera të Kazakistanit duke u kthyer në demonstrata publike./AA/
Top Channel