Disa banorë të komunitetit egjiptian në qytetin e Laçit ankohen pranë redaksisë së emisionit Fiks Fare për faktin se pas shembjeve të shtëpive pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 nuk kanë filluar akoma punimet për ndërtimet e reja në atë zonë, ndërkohë që në pjesën tjetër të qytetit punimet janë drejt shpërndarjes së apartamenteve.
Ata thonë se janë banorë të këtij qyteti dhe të asaj zone prej 25 vitesh, shtëpitë ku ata jetonin vite më parë kanë qenë “konvikte” shtetërore, pas shembjes së tyre ata trajtohen me bonus qiraje 12.000 lekë të reja.
Pas shqetësimit të banorëve gazetarët ju drejtuan bashkisë Kurbin ku kryetarja Majlinda Cara tha se në qytetin e Laçit janë miratuar 2 zona për zhvillim, zona 1/1 dhe zona 1/2. Në zonën 1/1 për zhvillim ka përfunduar procesi i ndërtimit prej 524 apartamentesh ndërsa zona 1/2 është në proces shpronësimi i truallit të zonës së konvikteve.
Ndërtimet në atë zonë janë të Fondit të zhvillimit ku janë planifikuar të akomodohen 200 familje. Këto familje kontraktohen me bonus dhe do të trajtohen me bonus deri në momenti i pajisjes së tyre me shtëpi. Në zonën e Laçit janë gjithsej 750 familje pa strehë ndërkohë që zona që ka përfunduar së ndërtuari ka vetëm 524 apartamente.
Banorët e ish zonës së konvikteve të jenë të qetë sepse nuk do të nxirren në rrugë. Këtë muaj apo muajin tjetër nuk di kur do të mobilizohen por duhet të përfundojnë punimet së pari pastaj të bëjmë shpërndarjen e tyre.
Pas një kërkesë për informacion nga redaksia e emisionit Fiks Fare pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në lidhje me zvarritjen e procedurave të rindërtimit në zonën e ish-konvikteve në qytetin e Kurbinit u tha se prona mbi të cilën është planifikuar rindërtimi është një pronë e cila duhet të kalojë në procedurat e shpronësimit dhe për këtë është hapur një proces gjyqësor dhe për këtë bashkia e qytetit nuk mund të procedojë me leje ndërtimi.
Top Channel