Kryeministri i ri i Bullgarisë Kiril Petkov për agjencinë e lajmeve “Bloomberg” është shprehur i gatshëm për të hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit.
Petkov, 41-vjeçari i diplomuar në Harvard u shpreh se ka vullnetin për ta zhvendosur debatin nga e kaluara dhe ta drejtojë fokusin tek infrastruktura dhe zhvillimi ekonomik.
Bullgaria ka bllokuar bisedimet e Maqedonisë së veriut me BE-në, për arsye historike dhe linguistike, duke pretenduar se të drejtat e shtetasve minatorë bullgarë janë mohuar në vendin fqinj. BE nga krahu tjetër në procesin e integrimit ka vendosur të mos e ndajë Maqedoninë nga Shqipëria në negociata, gjë e cila ka shtyrë datën e tryezës së parë Ndërqeveritare mes 27 vendeve të BE-së dhe dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Partnerët e koalicionit të kryeministrit Petkov janë ende skeptikë për të ofruar lëshime dhe detyra e tij për një marrëveshje do të jetë e vështirë. Një komision historianësh i ngritur nga të dyja vendet janë përpjekur prej vitesh për një zgjidhje, por pa asnjë përparim në horizont.
Petkov tha se grupet e punës do të takohen “intensivisht” për të arritur përparim mbi çështjen gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, duke ofruar një bazë për Bullgarinë që të rishqyrtojë pozicionin e saj. Për të lehtësuar ndryshimin, ai tha se do të propozojë një mekanizëm në gjithë Evropën që mbron nga trajtimi diskriminues grupet sipas kombësisë.
Top Channel