Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar 1,197 raste të reja me koronavirusin e ri dhe 15 të vdekur, shifër kjo më e lartë në tetë muajt e fundit.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktimat janë 4 në Shkup, 3 në Manastir, nga 2 në Ohër dhe Vallandovë, ndërsa nga 1 në Prilep, Veles, Gjevgjeli dhe Negotinë.

Numër më të madh të të infektuarve është regjistruar në Shkup, gjithsej 766 raste të reja.

Të dhënat e bazohen në testimin e 7,483 mostrave në laboratorët shtetëror dhe privat të Maqedonisë së Veriut.

Instituti i Shëndetit Publik bëri të ditur se me shifrat e ditës së martë, numri i rasteve aktive është rritur në 5,667 persona nga 227,000 persona të diagnostikuar me COVID-19 që nga paraqitja e pandemisë. Deri më tani jetën e kanë humbur 7,996 veta.

Drejtuesit e institucioneve shëndetësore gjendjen epidemiologjike e kanë vlerësuar stabile përkundër rritjes së rasteve në dy ditët e fundit.

Ministria e Shëndetësisë edhe të martën ka bërë thirrje për zbatimin e masave kundër pandemisë, tani në prag të festave të Krishtlindjeve Ortodokse. Veç kësaj, dikasteri i shëndetësisë ka apeluar për vaksinim, që mbetet në nivele të ulëta.

Në Maqedoninë e Veriut aktualisht me nga dy doza është vaksinuar rreth 39 për qind e popullsisë, apo mbi 810,000 persona./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA