Kylian Mbappe mund të transferohet në Madrid që në merkaton e këtij muaji. Nuk është thjeshtë një aludim, por një mundësi reale, diçka që e ka zbuluar agjenti Giovanni Branchini. Në një intervistë për La Gazzetta Dello Sport, ai ka treguar se kryesuesit e La Ligës po negociojnë mundësinë e blerjes së kartonit të francezit që në këtë merkato. 50 milionë euro është oferta e Florentino Perez për PSG, që duhet të vendosë nëse do të arkëtojë diçka nga shitja e 23-vjeçarit, apo do ta humbasë atë në verë me parametër zero.
Mbappe është në muajt e fundit të kontratës dhe tashmë është i lirë të negociojë me çdo skuadër, për shkak se në verë e ka luksin që të zgjedhë destinacionin e ri. Sulmuesi nuk ka asnjë dilemë dhe e ka shprehur hapur dëshirën e tij për të luajtur në “Santiago Bernabeu”, që është dhe një nga ëndrrat e tij.
Reali kërkon që të marrë shërbimet e Mbappe që në janar edhe për faktin se galaktikët do të ndeshen me PSG në raundin e 1/8 të Champions League, ndërsa nuk mungon dhe presioni i francezëve për të rinovuar me sulmuesin. Topi është në anën e PSG-së që do të marrë një vendim. Mbappe i ka kushtuar arkave të PSG-së 180 milionë euro, me parizienët që blenë kartonin e lojtarit nga Monaco në vitin 2018./SS
Top Channel