Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte bërë të ditur se me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, ka nxjerrë vendimin për shpalljen persona non-grata të një zyrtari rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në Kosovë.
Gërvalla njofton se për shkak të veprimtarisë, ky zyrtar e ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, [sot] kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non-grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, thuhej në njoftimin e Gërvallës.
Siç raporton Telegrafi, ky zyrtar është Andrey Nikolaevich Antonov.
Antonov ka qenë i angazhuar në zmadhimin e elementit pro-rus në bllokadat që ishin bërë në veri të Kosovës në shtator të 2021-së, kur serbët po kundërshtonin masat për reciprocitet me targa.
Zyrtari rus Antonov për herë të parë në Kosovë kishte ardhur në vitin 2001, si pjesë e misionit me policisë ruse, i cili kishte qëndruar vetëm rreth një vit. Më pas, ai ishte kthyer në vitin 2005 deri në vitin 2008, për t’u vendosur përfundimisht në vitin 2011 për të jetuar në Graçanicë më bashkëshorten e tij Natasha.
Natasha për mediet serbe shpjegon lidhjen që kanë për kishat ortodokse serbe.
“Këtu në Graçanicë kumbarët tanë janë Dusica Smigiq dhe Darko Stankoviq, i cili është i martuar me rusen Julia. Kemi në plan të rrimë me ta gjithë jetën, edhe nëse një ditë kthehemi në Rusi, qysh atëherë, ndoshta më shumë se tani, ata do të kujdesen për kishat serbe dhe ortodokse në Kosovë”, shpjegon ajo.
Nuk është hera e parë që Kosova shpall të padëshirueshëm zyrtarët rusë, përkatësisht të Misionit të UNMIK-ut.
Në fund të majit 2019, zyrtari rus i UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchekov ishte shpallur non-grata pasi që ishte përfshirë në pengimin e institucioneve, duke qenë pjesë e strukturave kriminale në veri të Kosovës.
Krasnoshchekov kishte marr pjesë në vendosjen e barrikadave në veri, duke penguar policinë. Madje, në automjetin e tij të UNMIK-ut ishte gjetur edhe sharra motorike, me të cilën ishin prerë drurë për t’i bllokuar rrugët.
Në dokumentarin VIRUSSIA, pjesa që flet për sigurinë, tregohet se UNMIK-u po përdoret për të pamundësuar shtrirjen e ligjit në veri të Kosovës dhe se zyrtarët rus në këto misione ndërkombëtare janë të involvuar për qëllime të tjera.
Përveç shpalljes non-grata së këtyre zyrtarëve të UNMIK-ut, Kosova kishte urdhëruar largimin nga vendi edhe të Denis Vangerskiit dhe Alexey Krivosheevit, zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë. Kjo kërkesë ishte bërë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Kryvosheev ishte shpallur persona non grata edhe nga autoritetet e Shqipërisë. Para se të shërbente në Tiranë, diplomati rus kishte shërbyer në shtetet e Ballkanit, përkatësisht në Maqedoni të Veriut.
Top Channel