Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të martën ka reaguar në lidhje me protestën kombëtare të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, duke e konsideruar atë si të parën protestë në historinë e Shqipërisë që thirret nga një politikan i lartë kundër partisë së tij.

Në një postim në Twitter, Basha shkruan se është hera e parë në historinë e Shqipërisë që një politikan i lartë shpallet i padëshiruar nga SHBA-të dhe sipas tij po hera e parë në Shqipëri që një politikan i tillë thërret një protestë kundër partisë së tij.

Për kreun e demokratëve protesta e thirrur nga ish-kryeministri Berisha më datë 8 janar ka si motiv kryesor kthimin e saj në bunker ku lideri historik i kësaj partie mund të strehohet dhe të mbrohet.

Hera e parë në historinë e Shqipërisë që një politikan i lartë shpallet i padëshiruar nga SHBA,dhe po hera e parë në Shqipëri që ai thërret një protestë kundër partisë së tij – Partisë Demokratike, me motivin pse ajo nuk kthehet në bunker ku ai mund të ‘strehohet’ për tu mbrojtur“, shkruan Basha në Twitter.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Berisha do të udhëheqë një protestë kombëtare, disa javë pas asaj që thirri kundër vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Tiranë.

Në një njoftim të publikuar nga Berisha, nënvizohet se selia e demokratëve nuk është “bunker i pengut”, duke iu referuar kryedemokratit Lulzim Basha, por sipas tij është shtëpia e demokratëve.

Ish-kryeministri u shpreh disa javë më parë se data 8 janar do të jetë një protestë e fuqishme kombëtare ku 44 mijë anëtarë të PD-së që firmosen të bëjnë historinë do të marrin në dorëzim ndërtesën e Partisë Demokratike.

Vendimi s’ka apelim. Do vijnë në Tiranë te selia për të shpëtuar pluralizmin. Vetëm Edi Rama e mban”, tha Berisha.

Por më 5 janar të këtij viti, Berisha dhe komisioni i Rimethemelit të PD-së kanë lënë afatin e fundit ndaj kryedemokratit Lulzim Basha që të dorëzojë detyrën. Në të kundërt kanë paralajmëruar se do të sillen si “përmbarues”.

Një reagim zyrtar i PD të martën i hodhi poshtë akuzat dhe saktësoi se punimet në seli lidhen me “mirëmbajtje në seli në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë”.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke u futur në seli.

PD e akuzoi ish-kryeministrin Berisha se po përgatit një sulm ndaj PD nën shoqërimin e personave të inkriminuar.

Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojrat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve”, thuhet në reagimin e PD-së.

Përçarja brenda partisë më të madhe opozitare shqiptare erdhi pas largimit nga grupi Parlamentar i PD të liderit historik Sali Berisha, me arsyetimin se ai ishte shpallur non grata nga SHBA.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel