Objektivi është ambicioz. Mbi të gjitha në kohët e Covid, në një sektor ku të gjithë shesin dhe pak blejnë.

Por, edhe PSG në pronësi të emirit të Katar, duhet të rregullojë bilancet të vëna në vështirësi nga pandemia apo edhe nga pagat e yjeve. Kështu, në pritje për të kuptuar nëse Mbappe do të rinovojë apo jo, brenda qershorit duhet gjeneruar 100 milionë euro.

Kjo është shuma që duhet të sigurohet nga shitjet, sipas L’Equipe që jep tablon në merkaton pariziene, me Icardin të parin në listën e shitjeve. Ish-kapiteni i Inter, nuk po kalon një periudhë pozitive, pasi bëri figurë të mirë në katër muajt e parë duke shënuar gola, por më pas hasi vështirësi me trajnerët Tuchel dhe më pas Pochetino.

Tani Icardi është një lojtar stoli, zëvendësues luksi për Messin, Neymar dhe Mbappe duke qenë se PSG ka paguar për të 50 milionë euro. Klubi e nxori zyrtarisht në merkato verën e kaluar, por bashkëshortja dhe agjentja e tij Wanda iu kundërvu largimit.

Sipas L’Equipe situata mund të evoluojë në javët e ardhshme, ndoshta edhe në frontin italian, ku Wanda Nara ka më shumë lidhje profesionale se në Francë ku ende nuk ia ka dalë të imponohet në nivel mediatik. Mbetet për t’u parë se cilat skuadra do të konfirmojnë besimin për një sulmues që së fundmi ka bërë të flitet për të më shumë në rrjetet sociale se sa në fushë.

E ndërkohë që PSG duhet të bindë lojtarët e saj të lënë Parisin, ku kanë kushte pune dhe paga të privilegjuara në krahasim me shumë klube të tjera, në dalje është dhe Paredes, titullar me hope, që mund të shitet, por vetëm në rast të ofertave interesante.

PSG pagoi për të 40 milionë euro 2 vjet më parë. Jashtë planeve të Pochetinos është dhe anësori i majtë Kurzawa, që i janë mbyllur hapësirat nga Bernat dhe Mendes dhe që është shndërruar në një objektiv të Lazios. Përforcimi veror me Hakimin, ka reduktuar në minimum edhe perspektivën e Dagba, edhe ai në merkato, ashtu si Kehrer.

Kërkohen blerës edhe për Draxler, pavarësisht rinovimit të freskët të kontratës deri në 2024, ndërkohë që nuk mund të jetë i sigurt se do të qëndrojë edhe mesfushori Pereira që mbërriti vetëm një vit me parë, aq më pak mund të garantohet qëndrimi i portierit Rico, që vështirë se mund të gjejë hapësira me dy kolegë si Navas e Donnarumma, dhe që është kaluar në hierarki edhe nga i riu italian Franchi.

Në frontin Mbappe edhe sipas L’Equipe, nuk ka të reja. Lojtari preferon të mos pozicionohet për momentin, duke i dhënë rëndësi paraqitjeve në fushë. Në ditët e kaluara drejtori sportiv Leonardo konfirmoi se dialogu vazhdon të mbetet i hapur, me shpresat e një rinovimi. PSG dëshiron ta kthejë Mbappe në yllin e referimit, dhe është gati t’i garantojë pagën më të lartë, duke e paguar edhe më shumë se Neymar apo Messi, më tepër se 30 milionë euro në sezon. Një motiv më shumë për të arkëtuar në janar./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA