Me rastin e festës së Vitit të Ri, Presidenti i vendit, Ilir Meta ka uruar qytetarët shqiptarë, disa orë para ndërrimit të viteve.

Kreu i shtetit uron përmes një mesazhi për shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati, ndërsa urimi i tij i veçantë është që 2022 të shënojë një hap të rëndësishëm drejt BE.

“Të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!”, thotë Meta më tej.

Mesazhi i urimit i Presidentit Meta për Vitin e Ri 2022

31 dhjetor 2022

“Të dashur qytetarë,

Motra dhe vëllezër,

Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni!

Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë!

Prandaj të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!

Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit!

Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi!

Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka.

Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Europian.

Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike.

Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!

Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë.

Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati!

GËZUAR VITIN E RI 2022!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA