Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se vendi duhet të përgatitet për valën e re të koronavirusit, të nxitur nga varianti “Omicron”.
Duke u ndaluar te pandemia, në konferencën e fundvitit për mediet, Rama foli për nevojën e rishikimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid 19.
“Deri tani ia kemi dalë, duke garantuar një jetë goxha të çliruar nga shtrëngesat dhe duke i dhënë mundësi ekonomisë që të fluturojë, për t’u larguar nga humnera ku ishim vitin e shkuar.
Sot jemi në kushtet ku duhet të përgatitemi për një valë të re, nga varianti i ri i Covid (Omicron) që po mbyll vendet e tjera. Ne nuk do të ngutemi, vetëm se duhet ta dimë që nuk mund ta kalojmë sikur nuk ndodh asgjë. Mbase disa masa duhen rimarrë, pa shtrënguar zinxhirin e jetës dhe ekonomisë”.
Kryeministri foli për një shërbim më të mirë shëndetësor. Sot, tha ai, kemi 56 autoambulanca të reja, që e ka çuar flotën në një numër optimal, ndërkohë që “Spitali Infektiv do të rindërtohet nga themelet dhe do të ketë të gjitha kushtet”.
Ndërkohë, shqiptarët mund të kalojnë jashtë natën e ndërrimit të viteve, pasi nuk do të ketë orë policore.
Komiteti i Ekspertëve njoftoi pak ditë më parë se nuk do të ketë kufizim orari natën e 31 dhjetorit. Por, teksa në vend është konfirmuar prania e variantit “Omicron” të koronavirusit, grumbullimet mund të ndikojnë në rritje të numrit të infektimeve.
E pyetur nga gazetarët, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha një ditë më parë se “ky është një vendim që Komiteti e ka marrë duke iu referuar situatës epidemiologjike në vend. Ka bërë dhe vlerësim më të gjerë të situatës dhe në rajon”.
Megjithatë, Manastirliu thekson se qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm:
“Sigurisht që është shqetësues dhe varianti ‘Omicron’. Por, kërkohet kujdes i shtuar. Do të lejohen lëvizjet këmbësore, të njerëzve, por Komiteti ka rekomanduar që festat të jenë me familjen e vogël, me sa më pak kontakte dhe të jenë të vaksinuar/ testuar.
Duhet të kuptojmë që lufta me pandeminë, është një luftë që i përket të gjithëve. Të gjithë strukturat shëndetësore janë në këmbë, por duhet të rritet akoma më shumë”.
Top Channel