Lukaku i penduar për kalimin te Chelsea: Nuk përshtatem me skemat e Tuchel, shpresoj të rikthehem te Inter

30/12/2021 19:49

Romelu Lukaku duket të jetë penduar për lëvizjen e bujshme në verë në drejtim të Londrës, ku zgjodhi të vazhdonte karrierën me skuadrën e Chelsea.

Sulmuesi belg mesa duket nuk i ka bërë mirë llogaritë me skemat e trajnerit Thomas Tuchel teksa në këtë sezon ia ka dalë të shënojë vetëm pesë gola. Në një intervistë të fundit për Sky Sports, 28-vjeçari ka bërë disa deklarata shumë të bujshme që mund të shkaktojnë “rrëmujë” në merkato, ndërsa sulmuesi thekson se shpreson për një rikthim te Inter.

“Fizikisht jam shumë mirë, por nuk jam i lumtur me situatën te Chelsea. Tuchel ka vendosur të luajë me një tjetër sistem, por unë nuk dorëzohem. Jam një profesionist edhe pse nuk jam aspak i lumtur për momentin.

Mendoj se gjithçka ndodhi në verë, nuk duhej të ndodhte në atë mënyrë. Mënyra si lashë Interin, përshëndetja me tifozët. Kjo më shqetëson shumë sepse nuk ishte koha e duhur, tani është momenti për të folur për ndjenjat e mia.

E kam thënë gjithnjë se e kam Interin në zemër, e di që do të rikthehem aty. Shpresoj që kjo të ndodhë sepse jam i dashuruar me Italinë, tani është momenti i duhur për të folur dhe për të bërë njerëzit të kuptojnë se çfarë ndodhi.

Dua me të vërtetë t’i kërkoj falje tifozëve të Inter, koha kur unë fola ishte e gabuar. Ajo që keni bërë për mua dhe familjen time nuk do të mund ta harroj kurrë”, shprehet Lukaku që hap kështu shumë skenarë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA