Harta e re gjyqësore, e propozuar nga Ministri i Drejtësisë dhe Kryetarja e KLGJ po kundërshtohet nga avokatët në vend.
Dhoma e Avokatisë Shkodër e cilëson si shkelje të rëndë të së drejtës për akses në Gjykatë të qytetarëve.
“Gjithashtu, harta e propozuar, është në shkelje të rëndë të interesit publik, të rendit juridik dhe parimit të subsidiaritetit, pasi i largon qytetarit në mënyrë domethënëse Gjykatën, si organi kryesor dhe i vetëm për dhënien e drejtësisë në vend”, u shpreh sot për mediet avokati Anton Kosteri.
“Shkurtimi i 19-të gjykatave në rang vendi, është qartësisht e kuptueshme për çdo person se largon qytetarin nga Gjykata, pasi detyron Shkodranin, Tropojanin, Kuksianin, Korçarin, Pogradecarin, Sarandiotin, Gjirokastritin, Vlonjatin, Fierakun, Beratasin, Lushjarin e etjer, të shkojë nga skajet më të largëta të vendit në mes të Tiranës“.
Ministria e Drejtësisë thotë se ky ndryshim do të ulë koston, por sipas avokatëve do të ndodhë e kundërta:
“Mund të ulë kostot nga njëra anë, por detyron nga ana tjetër transportimin e të dënuarve, të arrestuarve, personave në arrest në shtëpi, personave që gjykata urdhëron shoqërimin e tyre të detyrueshëm (psh dëshmitarë) nga skajet me të largëta të Shqipërisë, duke rritur shpenzimet dhe kostot në një zë tjetër të buxhetit të shtetit”.
Kosteri thekson se “një gjyqtar që gjykon në Tiranë, nuk është super gjyqtar, krahasuar me faktin nëse ai gjykon në një rreth tjetër”.
Sipas Dhomës së Avokatisë Shkodër, pretendimet e MD dhe KLGJ-së që justifikojnë hartën e re gjyqësore, janë të pabazuar në fakte dhe studime shkencore, nuk janë në koherencë me nevojat e publikut dhe me mungesën e thellë të infrastrukturës.
Qeveria e Gjyqësorit ka vendosur të mbyllë 15 gjykata në vend, nën argumentin se nuk janë funksionale.
Midis tyre, pesë janë gjykata e apelit, që mblidhen në një të vetme në Tiranë dhe 10 gjykata të shkallës së parë.
Me logjikën një qark një gjykate, Këshilli i Lartë Gjyqësor pretendon se do të ofrojë akses për qytetarët, do të minimizojë backlogun dhe s’do ketë zvarritje. Sidoqoftë, duhet parë nëse do të jetë funksional apo jo edhe ky projekt.
Top Channel