Basha godet paktin Rama-Berisha, tregon tre hapat për të pastruar politikën

30/12/2021 17:47

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konferencën përmbyllëse të fundvitit u shpreh në bashkëbisedimin me gazetarët se reforma e thellë në Kushtetutë është një kusht që nuk mund të ecet përpara, ndërsa goditi edhe paktin Rama-Berisha të vitit 2008.

Lideri demokrat theksoi se tre janë instrumentet përmes së cilave do të kryhet pastrimi i politikës nga krimi; zgjedhjet që nënkupton reformën në Kushtetutë, drejtësia dhe vettingu në politikë.

“Së pari zgjedhjet. Çlirimi i zgjedhjeve nga rrethimi i shumëfishtë nga patronazhistët, oligarkët dhe krimi, nuk mund të kryhet me disa hapa korrektivë në ligjin e reformës zgjedhore.

Duhet një reformë e thellë që të përfshijë edhe Kushtetutën dhe të gjithë shoqërinë dhe nuk mund të kryhet në dhoma të errëta si ajo e vitit 2008. Ky është një kusht që nuk mund të ecet përpara dhe është arsyeja kryesore pse PD ndodhet në një parlament që nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve.

E dyta mënyrë për të luftuar korrupsionin është që drejtësia të bëjë përpara. Hapat e parë janë inkurajues. Shqiptarët presin dhe meritojnë më shumë dhe më shpejt.

Dhe hapi i tretë është vettingu i politikanëve. Kjo nuk është për të “larë gojën” por për të çliruar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sot kam një mesazh, jo për drejtësinë, por për ata hetues, prokurorë dhe gjyqtarë, në veçanti atyre që u është besuar lufta kundër korrupsionit, “dorës së zezë” që fshih gjithçka, keni dhe do të keni mbështetjen e plotë të PD-së dhe timen personale.

E di që kjo është një rrugë e vështirë, ndesheni me presionin e aktorëve që konsiderojnë Shqipërinë si plaçkën e tyre; aktorë ekonomikë, politikë, apo mediatikë”, u shpreh Basha.

Top Channel