Skandali i pagave/ Basha: Tregoi se ku është katandisur Shqipëria, një shtet i kapur nga të korruptuarit

29/12/2021 15:18

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të mërkurë nga qyteti i Peshkopisë është shprehur se Shqipëria nuk qeveriset pasi në krye të saj sipas tij është një bandë që e drejton atë.

Të gjitha këto halle, probleme, dhimbje të përditshme të shqiptarëve, janë bërë edhe më të rënda nga pandemia, e cila na ka marrë nga gjiri familjeve tona dhjetëra, mijëra prindër dhe të afërm. Shumë më shumë sesa vendet fqinje. Ka goditur dhe ka futur në borxh qindra, mijëra familje shqiptare. Sepse ky vend nuk ka qeveri. Sepse ky vend nuk qeveriset. Ky vend nuk ka qeveri sepse në krye ka një bandë e cila paktin nuk e ka me qytetarët. Ka një njeri të ulur në karrigen e kryeministrit që nuk ka hallin e njerëzve”, tha Basha.

Ai theksoi se vendi nuk qeveriset për vetë faktin se nuk ka shtet, pasi ky është i korruptuar dhe i kapur nga të korruptuarit. Basha tha se ky është një shtet i rrënuar deri në tullën e fundit, pasi sipas tij zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve.

Një shtet që siç e pamë javët e fundit është rrënuar deri ën tullën e fundit. Zbulimi i të dhënave personale të qytetarëve, na tregoi në disa rrafshe se ku është katandisur Shqipëria nën sundimin e paligjshëm të Edi Ramës dhe një grushti pushtetarësh e oligarkësh, e kriminelësh me të cilën mban paligjshmërisht pushtetin e shqiptarëve”, tha kryedemokrati.

Sipas tij, Edi Rama nuk ka më çfarë të ofrojë, pasi ai nuk ka asnjë vizion, asnjë alternativë dhe asnjë zgjidhje për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Në fakt, ky regjim është në koma. Ndonëse ka 4 muaj që është betuar se do të qeveris Shqipërinë, ka katër muaj që jo vetëm nuk bën asgjë, por po rrënon edhe ato pak tulla që i kanë mbetur ngrehinës së shtetit. Dhe kjo për një arsye të thjesht, Edi Rama nuk ka më çfarë të ofrojë. I shteruar në fushatë para shqiptarëve, pa bilanc, sepse bilanci i tij i vërtet ishte pandemia, ku pasi i mbylli dy muaj shqiptarët në shtëpitë e tyre duke i frikësuar deri me autoblinda e me gjoba, iu dha paketën më të ulët ekonomike”, tha Basha.

Në fjalën e tij nga Peshkopia, kryedemokrati tha se me vendimin për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së ish-kryeministrin Sali Berisha,  vendosi të zgjedhë të ardhmen me qëllim për t’u shkëputur nga tranzicioni duke lënë pas hijet e së shkuarës.

PD u vendos përpara dy mundësive: Të mbetemi peng i një lufte të brendshme të nisu nga një njeri për interesat e tij personale. Një lufte që do të sakrifikohej interesat e të gjithë demokratëve, që do të zëroj 31 vite sakrificë që nga dita e parë e themelimit, të themeluesve, qëndrestarëve, që do të vërë në rrezik të ardhmen e forcës tonë politike, të familjes tonë politike. Që do të zhbëjë projektet, vizionin, ëndrrën tonë për rininë demokratë dhe rininë shqiptare, apo të zgjedhim të ardhmen?“, tha Basha.

Ai theksoi para qindra demokratëve dibranë se takimi i sotëm vjen pak ditë pasi Kuvendi Kombëtar i PD-së u mblodh në Tiranë dhe foli qartë përmes delegatëve dhe vendosi në këtë Kuvend që të zgjedhë të ardhmen.

Të zgjedhim të ardhmen do të thotë të shkëputemi nga tranzicioni, të lëmë pas hijet e të shkuarës, të bashkohemi në betejën me armikun e përditshëm të mirëqenies së shqiptarëve, korrupsionin dhe shkaktarin e këtij korrupsioni Edi Ramën dhe qeverisjen e tij“, tha ai.

Kryedemokrati në fund të fjalës së tij dha edhe një mesazh për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Ju e keni parë prej ditës së parë kam vendosur që mos të bëjë simetrinë e t’i përgjigjesha çdo gënjeshtre ashtu siç e meritonte t’i përgjigjej. Por sot dy fjalë do t’i them: Nuk mund të ketë dy të vërteta, ose siç e ka thënë vet Sali Berisha, Edi Ramës i duhen tre jetë për të bërë atë që kam bërë unë me ndihmën e demokratëve, me demokratët, për demokratët dhe për shqiptarët, ose unë jam tradhtar dhe besëprerë. Ajo që i ndan këto dy deklarata nga i njëjti person është 9 shtatori. 9 shtatori është dita kur unë kam vendosur pas muajsh të tërë përpjekjesh, ta ndaj të shkuarën nga e ardhmja. Kam vendosur ta mbaj Partinë Demokratike në krah të SHBA-së dhe SHBA-të në krah të Partisë Demokratike”, tha Basha.

Top Channel