Në Greqi mbi 20 mijë infektime në ditë/ Mosha mesatare e të infektuarve 38 vjeç, partia Syriza bën përgjegjës kryeministrin

29/12/2021 01:40

Ashtu siç kishin parashikuar specialistët, si asnjëherë tjetër Greqia ka regjistruar në 24 orët e fundit 21.657 infektime të reja me koronavirus, kur rekordi ishte shënuar dje me mbi 9200 raste.

Vetëm në prefekturën e Atikës, që përfshin edhe Athinën janë regjistruar 9882 infektime, ndërsa në Selanik 2665 . Mosha mesatare e të prekurve është vetëm 38 vjeç.

Gjithashtu me 60 humbjet e jetës në ditën e sotme, numri i viktimave nga Covid-19 ka arritur në 20.557, 95.2% e tyre me historik të rënduar shëndetësor dhe mbi 70 vjeç. Vazhdon ende të mbetet i lartë numri i të intubuarve 635, me moshë mesatare 63 vjeç, prej të cilëve 85% janë të pavaksinuar.

Ndërkohë numri mesatar i shtrimeve ditore në spitale ka shkuar në 340 pacientë, duke pasur një rritje prej 17,6%. Rritja e rasteve, numrit të viktimave dhe masat e ripërsëritura kanë ndezur edhe luftën politike në vend. Ndërsa qeveria akuzon opozitën se është e papërgjegjshme në këtë kohë pandemie, partia më e madhe opozitare Syriza, shigjeton kryeministrin që ndodhet me pushime në një moment që vendi regjistron rekord rastesh ditore me koronavirus.

Specialistët kërkojnë që masat shtesë të cilat komunikoi dje qeveria për në datën 3 janar, të fillojnë të zbatohen menjëherë tani dhe jo pas festës së ndërrimit të viteve, sepse atëherë do të jetë shumë vonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA