Nga Prishtina, ku ndaloi për një vizitë zyrtare gjatë të cilës u takua dhe me presidenten Vjosa Osmani, ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar theksoi se Lëvizja Hizmet e klerikut Fetullah Gulen, mund të paraqesë kërcënim për shtetin e Kosovës.
Lëvizja, të cilës Ankaraja i referohet me akronimin FETO, është shpallur prej saj organizatë terroriste. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun kosovar, Akar tha se me palën kosovare kanë takime edhe për çështjen e Lëvizjes Hizmet dhe se Turqia pret “hapa konkretë” në këtë drejtim.
Hulusi Akar, ministër turk i mbrojtjes: Kjo çështje nuk është kërcënuese vetëm për shtetin tonë, por mund të jetë kërcënuese edhe për shtetin e Kosovës.
Në këtë aspekt, nga miqtë tanë kosovarë dhe nga institucionet kosovare po presim të ndërmerren hapa konkretë.
Marsin e 2018-tës, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë. Të dhënat e atehershme treguan se dëbimi u krye përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova. Por ky aksion përfundoi në lupën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi pati me dhjetëra shkelje. Të gjithë të arrestuarit u perballen me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund u denuan gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.
Top Channel