Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka dhënë detaje këtë të mërkurë pas mbledhjes së ministrave, për energjinë elektrike që do t’i jepet Kosovës për dy ditët e festave.

E pyetur nga gazetarja nëse energjia që po i jepet Kosovës është nga rezervat apo është blerë nga shteti shqiptar dhe sa ditë do të zgjasë, ajo theksoi se është nga rezervat e shtetit shqiptar dhe se do të jenë vetëm dy ditë ndihmë për Kosovën.

“I referohemi këtyre dy datave. Ne po përballemi me një krizë, do heqim nga rezervat tona për t’ja dhënë Kosovës, nga ora 7 deri orën 24 të datës 1 janar. Nuk do të ketë shkëmbim financiar me të, nuk presim nga Kosova që të paguajë para për Republikën e Shqipërisë, por kjo sasi energjie do të na kthehet në një moment që ata të kenë mundësinë”, tha Balluku.

Në lidhje me skandalin e publikimit të të dhënave, ajo përmendi se e-albania, një nga platformat me të dhënat personale të shqiptarëve nuk do të menaxhohet nga kompani private.

“Nëse është një lajm që qarkullon është i rremë, nuk ka një plan të tillë, të dhënat personale një pjesë e tyre janë kthyer në një lojë në telefonin e shumë personave. Nuk ka asnjë plan të tillë, Rama e ka bërë me dije që në muajin janar kemi kërkuar mbështetjen e një kompanie të huaj, ‘General Jones Group’, e cila e ka një prezencë në Shqipëri, në marrëveshje me OST. Në ditët e para të janarit përfaqësues të saj do të jenë në Shqipëri për të nisur një analizë të thellë”, tha Balluku.

Prej krizës që po kalon, vendi ynë do t’i japë 7680 MWh energji elektrike Kosovës pa efekt financiar. Energjia do të jetë nga ora 7:00 e datës 31 dhjetor deri më 24:00 të datës 1 janar.

Kosova është duke u përballur prej ditësh me krizë energjetike, duke lënë me orë të tëra pa energji elektrike qytetarët dhe bizneset të cilat janë gjendur në vështirësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA