Në përfundim të vitit 2021 u bë e qartë se po fashiteshin shpresat që pandemia mund të përfundonte, ndërsa varianti i ri Omicron po përhapej në mbarë botën.

Viti 2021 përfundoi në Evropë ashtu siç filloi – duke luftuar një valë të re të infektimeve nga koronavirusi.

Në janar, varianti Alpha, i pikasur fillimisht në Britani, ishte varianti dominues. Deri në fund të janarit, Britania kishte nivelin më të lartë të vdekjeve në botë. Pjesa më e madhe e Evropës iu rikthye masave të izolimit.

“Qeveria udhëzon sërish të qëndroni në shtëpi”, tha Kryeministri britanik Johnson.

Por pati shpresë. Britania kishte filluar programin e imunizimit masiv me vaksinën Pfizer-BioNtech. Ishte një arritje shkencore me shpejtësi të paprecedentë.

“Kur vaksinat mbërritën për herë të parë në klinika, kishte shpresa të mëdha për uljen e numrit të rasteve serioze të infektimit, shtrimeve në spital dhe si pasojë vdekjeve, dhe kjo ndodhi”, thotë mikrobiologu Simon Clarke, nga Universiteti Reading.

Evropa përjetoi një valë të tretë vdekjeprurëse të infektimeve në mars – mes akuzave se programet e vaksinimit ishin shumë të ngadalta.

Disa vende pezulluan përdorimin e vaksinës AstraZeneca për shkak të frikës nga mpiksja e gjakut që shumë shkencëtarë thonë se ishte e tepruar.

“Nga 330 milionë doza vaksinash që janë bërë, nuk jemi në dijeni të ndonjë vdekjeje të konfirmuar nga vaksina kundër COVID-it”, tha Dr. Soumya Swaminathan, shkencëtare në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Nga fillimi i verës, imuniteti po krijohej në popullsinë evropiane – dhe deri në qershor, pjesa më e madhe e kontinentit ishte rihapur.

Por virusi vazhdoi të ndryshojë formë. India pësoi një valë vdekjeprurëse infektimesh të nxitura nga varianti i ri Delta.

Shpejt arriti në Evropë – dhe nga vjeshta, varianti Delta po përhapej me shpejtësi nëpër shkolla. Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli edhe një herë Evropën epiqendrën e pandemisë. Por vaksinat funksionuan. Megjithëse niveli i infektimeve ishte i lartë, vdekjet ishin relativisht të ulëta.

Por në nëntor, Afrika e Jugut raportoi një variant të ri, në dukje shumë më infektues – variantin Omicron. Tani ai është përhapur në Evropë dhe në pjesën më të madhe të botës.

Në përgjigje, qeveritë kanë rritur programet për dozën përforcuese të vaksinave, duke ofruar vaksinën e tretë për të gjithë personat në moshë madhore.

“Si ndërvepron ky variant me popullsinë që ka marrë dozën e tretë është ende diçka për të cilën nuk dimë shumë dhe nuk do ta dimë ndoshta për disa javë. Një tjetër skenar që ndoshta mund të shihnim, krahas shtrimeve të shumta në spital, do të ishte sëmundja në masë. Pra shumë njerëz të sëmurë që do duhet të shërohen në shtëpi”, thotë Dr. Clarke.

Kjo do të kishte efekte të mëdha në sistemet e kujdesit shëndetësor dhe tek ekonomia.

Shkencëtarët thonë se ky cikël do të vazhdojë derisa një përqindje shumë më e lartë e popullsisë globale të jetë vaksinuar.

“Deri më tani, vetëm 102 milionë afrikanë ose 7.5% e popullsisë së kontinentit janë plotësisht të vaksinuar. Më shumë se 80% e popullsisë nuk ka marrë as edhe një dozë të vetme. Ky është një hendek i madh i rrezikshëm”, thotë Dr. Salam Gueye, Drejtor Rajonal në Organizatën Botërore të Shëndetësisë për Afrikën.

E rrezikshme për Afrikën – dhe e rrezikshme për të gjithë botën, ndërsa variante të reja vazhdojnë të shfaqen. Ndërsa pandemia hyn në vitin e tretë, ende nuk është e qartë se si apo kur do të përfundojë./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA