Franca ka bërë të ditura kufizime më të ashpra për luftim të pandemisë, teksa shtrihet varianti Omicron i koronavirusit.
Nga 3 janari, puna nga shtëpia do të jetë e detyrueshme për ata që munden dhe organizimet publike do të kufizohen në 2,000 persona në ambientet e mbyllura.
Ky lajm vjen pasi Franca ka regjistruar më shumë se 100,000 raste të reja të infektimit të shtunën – njëherësh shifrën më të lartë të raportuar brenda një dite, prej shpërthimit të pandemisë.
Megjithatë, kryeministri francez, Jean Castex nuk ka marrë masa izolimi për natën e Vitit të Ri.
Shtetet në gjithë Evropën janë duke zbatuar masa të reja, si pasojë e rritjes së numrit të infektimeve, të nxitura nga varianti Omicron.
Disa studime kanë sugjeruar se ky variant është më i butë sesa Delta, dhe personat e infektuar kanë më pak mundësi që të përfundojnë në spital.
Castex u ka thënë gazetarëve se pandemia duket si “film pa fund”.
Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran ka thënë se shkalla e infektimit është duke u dyfishuar çdo dy ditë, andaj ka paralajmëruar për “mega valë” të rasteve të reja.
Në masat e reja përfshihet edhe kufizimi për organizimet e jashtme me vetëm 5,000 persona, si dhe ndalesa për të ngrënë ushqim nëpër mjete të transportit gjatë udhëtimeve të gjata.
Klubet e natës do të mbeten të mbyllura dhe kafiteritë do të punojnë me kapacitete të kufizuara.
Plani i këtij shteti për pasaportë të vaksinës, përmes së cilit do të kërkohet vetëm dëshmia e vaksinimit dhe jo testi negativ për të hyrë të ambiente publike – do të hyjë në fuqi më 15 janar, nëse Parlamenti francez e miraton një draft të projektligjit.
Sipas të dhënave shtetërore, Franca aktualisht ka një mesatare të raportimit të mbi 70,000 rasteve ditore me koronavirus.rel
Top Channel