Bilanci i 100 ditëve të “Rama 3”/ “Vetëm 9% e premtimeve u përmbushën, për 51% po punohet”

28/12/2021 15:04

Më 27 dhjetor mandati i tretë i Partisë Socialiste, kryesuar nga Edi Rama mbushi 100 ditëshin.

Një studim i fundit përmbledh të gjitha zotimet që qeveria ka përshkruar në programin e saj dhe analizon punën e bërë nga ekzekutivi në këto 100 ditë:

Bilanci i 100 ditëve të para të këtij mandati nuk është aq efektiv në krahasim me mandatin e parë, për shkak të rënies së vullnetit politik, energjisë dhe dëshirës për të ndryshuar diçka”.

Nga studimi ka rezultuar se vetëm 9% e zotimeve janë përmbushur, për 51% prej tyre janë ndërmarrë hapa apo janë realizuar deri në gjysmë dhe pjesa e mbetur është ende në letër. Por, cilat janë sektorët me më shumë zotime të realizuara?

“Kemi fushën e arsimit që është miratuar futja e anglishtes në klasë të parë dhe krijimi i klasave sportive. Kemi dhe fushën e ekonomisë, me miratimin e ndryshimeve të reja fiskale, të miratuara edhe nga Kuvendi. Ndërkohë kemi zgjatje të afatit për rindërtimin dhe për projektet infrastrukturore”.

Eksperti Eduart Gjokutaj shprehet se në 2022-in, qeveria bazuar tek programi pritet të fokusohet në katër sektorë kyç:

Agroturizmi pritet të jetë kryefjala e qeverisë vitin e ardhshëm. Sektor tjetër me rëndësi është shëndetësia, ku janë kryer investime logjistike, por priten edhe reforma të tjera. Më pas vjen arsimi, tregu i punës dhe investimi tek të rinjtë. Ndërsa, nuk mbetet pas as sektori i turizmit dhe mjedisit, për të cilin është folur në çdo dalje publike të qeverisë gjatë këtij viti”.

Qeveria nga krahu tjetër në këto 100 ditë të para ka shpallur emergjencën energjetike, ndërsa përparësi të madhe ka marrë Rindërtimi, por edhe projektet e ndryshme infrastrukturore, të cilat për shkak të afateve të zgjatura konsiderohen si zotime gjysmë të përmbushura.

Top Channel