50% e administratës punë nga shtëpia/ Rekord infektimesh në Greqi, masat e reja në fuqi nga data 3 janar

28/12/2021 00:59

Në ditën kur Greqia ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore prej fillimit të pandemisë, 9.284 raste të reja,gati gjysma e tyre vetëm në Athinë, por edhe 66 viktima dhe 629 të intubuar, Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar masa te reja që do të hyjnë në fuqi prej datës 3 deri në 16 janar me mundësi zgjerimi nëse do të jetë e nevojshme.

Masat që janë sugjeruar nga ekspertët përfshijnë: punën nga shtëpia për 50% të nënpunësve të sektorit publik, ndërsa sugjerohet që kjo praktikë të zbatohet edhe në sektorin privat. Gjithashtu është i detyrueshëm përdorimi i maskës së mbrojtjes së lartë ose maskës së dyfishtë në supermarket apo mjetet e shërbimit urban.

“Sa i përket dëfrimit dhe restoranteve do të ketë orar të funksionimit deri në orën 12:00 të mbrëmjes dhe paralelisht nuk do të lejohet dëfrimi për klientët që janë në këmbë, ndërsa në restorante do të lejohen deri në gjashtë persona për tavolinë. Gjithashtu duhet të ketë edhe ruajtje të distancave . Nëse ka shkelje të këtyre masave, do te ndalohet edhe muzika që tani për tani lejohet”- tha Thanos Plevris, ministër i Shëndetësisë.

Qeveria gjithashtu vendosi të kufizojë pjesëmarrjen në aktivitetet sportive në stadiume në 10% të kapacitetit ose në një kufi të sipërm prej 1,000 personash, ndërsa qytetarët që vizitojnë familjarët në shtëpitë e kujdesit do të lejohen vetëm pas një testi molekular në 40 orët e fundit dhe në spitale do të intensifikohen kontrollet tek vizitorët.

Masat e reja vijnë vetëm disa ditë pas atyre që kishte shpallur qeveria javën e kaluar duke ndaluar festimet publike të Krishtlindjeve e duke risjellë mbajtjen e maskave edhe në ambientet e jashtme.

Ndërsa pritet edhe një rritje më e madhe e infektimeve në ditët e ardhshme, ministri grek ka bërë të ditur se 75% e rasteve ditore janë persona nga 20 deri në 59 vjeç, ndërsa vetëm 6% i përkasin grupmoshës mbi 60 vjeç.

Top Channel