Fiks Fare denoncoi një konflikt të pastër interesi, ku kompania e nënkryetarit të Bashkisë së Finiqit ka fituar një tender plot 50 milionë lekë të rinj nga Bashkia e Finiqit.
Kompania “Kalivjoti”, me letra në pronësi të vëllezërve të Ilia Kalivjotit, fitoi tenderin me objekt rikonstruksion i rrugës Dermish-Jermë, në Finiq. Emisioni investigativ faktoi se, pavarësisht se Ilia Kalivjoti nuk është në këtë firmë (me letra), ai vijon të drejtojë punimet. Madje, bashkëpunëtores së Fiks Fare ai i lë takim për punët e firmës.
Disa muaj më parë, Bashkia Finiq, ka shpallur fituesin e tenderit me objekt rikonstruksion i rrugës Dermish – Jermë. Fondi për këtë tender ishte 79.9 milionë lekë. Fitues i këtij tenderi u shpall bashkimi i operatorëve ekonomikë “KALIVIOTI” & “ALBA KONSTRUKSION” me vlerë 51.9 milionë lekë. Fiks Fare ka hulumtuar dokumentet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, ku rezulton se kompania “KALIVIOTI” ka administrator z.Vangjel Kalivjoti dhe aksionerë Alqi Kalivjoti, Niko Kalivjoti dhe Vangjel Kalivjoti.
Ndërkohë, në rubrikën “të dhëna që njoftohen vullnetarisht” si emër tregtar është “KALIVIOTI” dhe e-mail “[email protected]”. Pra, e-maili i z.Ilia Kalivjoti, i cili është nënkryetar i Bashkisë Finiq. Ndërkohë, është i publikuar edhe një numër telefoni 0684022***. Nga një kërkim i thjeshtë në faqen zyrtare të Bashkisë Finiq, ky numër telefoni rezulton në emrin e z.Ilia Kalivjoti, nënkryetar i Bashkisë Finiq. Pra, të dhënat e firmës janë të z.Ilia Kalivjoti, pavarësisht se emri i tij nuk figuron vetëm te aksionerët. Sipas një dokumenti që disponon “Fiks Fare”, z.Ilia Kalivjoti i ka dhuruar aksionet vetëm me letra në dhjetor 2015. Pasi që nga ajo kohë ai ka vijuar të drejtojë firmën!
Pasi faktuan se firma e nënkryetarit të Bashkisë së Finiqit, Ilia Kalivjoti, ka fituar një tender nga e njëjta bashki, gazetarët e Fiks Fare shkuan në fshatin Livadhja ku ka selinë firma për të pyetur se kush e drejton aktualisht. Banoret e Livadhjasë i thanë bashkëpunëtorëve të Fiks Fare se firmën e ka Ilia Kalivjoti, nënkryetari i bashkisë Finiq. Gazetarët shkuan te një lokal, që është në pronësi të z.Ilia Kalijvoti, ku takojnë bashkëshorten e tij. Ajo thotë se Ilia ka ikur në bashki se ka punë. Gazetarët i kërkojnë për një punë në Ksamil, pasi duhet të bëjmë një rrugë të shkurtër për te një biznes.
Bashkëshortja e tij i thotë se ka bërë punë edhe atje, pra në Ksamil. Ajo i thotë se duhet ta takosh që të bisedosh më të. Gruaja i jep gazetares së Fiks Fare numrin e telefonit dhe i thotë se për këto punë duhet që të flasë me Ilian. Më pas, gazetarja telefonon Ilian dhe i kërkon që firma Kalivjoti të kryejë këto punime. Ai i thotë se është shumë larg, pasi ka punë nga detyra si nënkryetar i Bashkisë Finiq. Më pas e pyet se çfarë punësh ka, ndërsa gazetarja i shpjegon edhe punët. Ai i lë takim të nesërmen, pasi të takohen dhe të vendosin për detajet për këto punë.
Fiks Fare shkon në Bashkinë Finiq, ku gazetarët takojnë kryetarin e Bashkisë, i cili na thotë se firmën Kalivjoti mesa e mban mënd e kanë vëllezërit e tij, jo Ilia. Pyetjes se të dhënat në QKB janë të Ilias, ndërsa thotë se do të zbatojë ligjin dhe autorizon një punonjës të sektorit të prokurimeve për të na dhënë intervistë. Fiks Fare interviston përgjegjësin e prokurimeve, që thotë se aksionerë janë vëllezërit e nënkryetarit të Bashkisë. Ai thotë që edhe këto të dhëna nuk duheshin të ishin në QKB. Ndërsa shton se ndoshta janë lënë që kur ka qenë. Më pas e mbron, duke thënë se kryesore për Bashkinë është emri te aksionarët dhe jo te të dhënat. Kur e pyesim se çfarë zbuluam, na thotë se “ne shikojmë vetëm letrat”.
Pas disa tentativash, Fiksi bisedon edhe me nënkryetarin e Bashkisë Finiq, Ilia Kalivjoti. Ai thotë se firma është e vëllezërve të tij, ndërsa shton se ka qenë dikur pronar, po tani “s’jam më”. E pyesim përse i tha bashkëpunëtores se fiksit se do bëjë punime, ndërsa na përgjigjet se “do të ndihmoja vëllezërit”.
Top Channel