Publikimi i pagave/ PD: SPAK të mos heshtë, Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë

27/12/2021 13:46

Partia Demokratike të hënën ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) se nuk po vepron për publikimin e të dhënave sensitive të mbi 630 mijë personave, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri.

Nënkryetari i PD-së Enkeled Alibeaj publikimin e tyre e konsideroi këtë të hënë si një ngjarje të rëndë, dhe sipas tij, përtej sekretit hetimor, shqiptarët kanë të drejtë të dinë se ç’po ndodh ndërkohë me këtë cenim të rëndë të të drejtave të tyre themelore, me pasoja të rënda për jetën private dhe profesionale të secilit prej të dëmtuarve.

Në një deklaratë për mediat, Alibeaj tha se përgjegjësia bie dhe mbi SPAK, institucioni që duhet te kishte hetuar me seriozitet dhe deri me fund skandalin me të dhënat personale të qytetarëve që Partia Socialiste përdori nëpërmjet patronazhistëve për zgjedhjet e 25 prillit.

Qeveria nuk mund t’i fshihet përgjegjësisë për këtë skandal të madh. Daljet butaforike dhe batutat e Edi Rames nuk mund të lënë në harresë faktin që të dhënat sensitive të mbi 630 mijë shqiptarëve janë sot në duart e bandave dhe kriminelëve”, tha ai.

Sipas tij, vënia para përgjegjësisë e autorëve të vërtetë të skandalit të patronazhistëve, do të ishte shenjë e seriozitetit të hetimeve për një nga aktet që shënoi një nga kulmet e masakrës zgjedhore të 25 prillit.

Por kur SPAK hesht, është e qartë se manipulatorët e politikës nuk frikësohen të zgjasin duart dhe të ndërhyjnë atje ku çdo shqiptar i ka besuar shtetit të dhënat e tij personale. Është e qartë që ideatorët dhe zbatuesit e skemës së publikimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, si në rastin e patronazhistëve ashtu dhe në atë të disa ditëve më parë, është kupola e korruptuar e partisë shtet, e aftë për të përdorur çdo mënyrë dhe mjet në funksion të interesit personal”, tha Alibeaj.

Nënkryetari i demokratëve theksoi se qytetarët shqiptarë, të cilët janë të shantazhuar, të dhunuar në privatësinë e tyre dhe të ekspozuar ndaj çdo keqbërësi, presin një përgjigje të fortë dhe të qartë nga drejtësia, sepse sipas tij, mungesa e ndëshkimit të autorëve të skandalit të patronazhistëve, sot po kthehet në kërcënim të drejtpërdrejtë për jetët e mbi 630 mijë shqiptarëve.

Pagat dhe numrat e identitetit të mijëra qytetarëve u publikuan pesë ditë më parë fillimisht përmes aplikacionit “WhatsApp” për të vazhduar më pas në disa media online.

Pas ankesës së një grupi qytetarësh për publikimin e të dhënave personale, Prokuroria e Tiranës nisi verifikimet. Prokuroria kërkoi zyrtarisht nga Drejtoria e Tatimeve dhe Instituti i Sigurimeve verifikim për nxjerrjen e dokumenteve zyrtare.

Në linkun në formatin word që u shpërnda u publikuan emrat, mbiemrat, numrat e identifikimit, institucionet ku punojnë dhe paga. Në listat e bëra publike përfshihen institucione shtetërore dhe private, ku pasqyrohen edhe pagat e zyrtarëve të lartë, përfshi edhe ata të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Skandali i daljes së të dhënave personale të pagave vjen pak muaj pas rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, në të ashtuquajturin skandali i patronazhistëve.

 

Top Channel