Ka darkuar me Bashën? Balla: Ka qenë një fatkeqësi familjare. Kurrë në jetën time…

27/12/2021 11:32

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se ka konsumuar një darkë miqësore me kryedemokratin Lulzim Basha.

Në një komunikim me gazetarët nga Kryesia e Kuvendit, Balla mohoi kategorikisht të ketë takuar Bashën në një restorant.

Asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në një darkë me Bashën. Ajo që është thënë nga Berisha është rishfaqje e 30 viteve të tij, që me mashtrime ka lënë trashëgiminë e vet politike”.

Ai përmend një fatkeqësi familjare, që ka bërë bashkë në një ambient politikane të shumtë, mes të cilëve, atë dhe Bashën.

Kam qenë në një fatkeqësi familjare, po t’i marrësh me radhë kanë qenë dhe njerëz që sot i janë bashkuar  foltores së Berishës. Por, tradita shqiptare nuk e lejon që të përdorësh për politikë një fatkeqësi”.

Sipas deputetit, takimin e vetëm me kreun demokrat do e ketë në gjykatë. “Unë me Bashën jam në një gjyq për shpifje, kam fituar në shkallën e parë. I vetmi takim imi me të do të jetë në gjyq për shpifje”, thotë Balla.

Top Channel