Zbardhen debatet në mbledhjen e demokratëve/ Salianji: Duhet të kthejmë garën dhe votën, pas 18 dhjetorit, jo emërimin

23/12/2021 19:37

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ka pasur debate pasi u tha se është shkelur sërish statuti për zgjedhje.

Debati u zhvillua mes kryetarit të këshillit dhe sekretarëve funksionalë dhe anëtarëve, pasi për kryetarin duhet të kishte dy kandidatë ndërsa anëtarët dhe sekretarët duhet të ishin me votim të fshehtë.

Salianji: Duhet të kthejmë garën dhe votën, pas 18 dhjetorit, jo emërimin. Ky është Këshilli i parë pas Kuvendit të datës 18 Dhjetor, u pa qartë që foltorja nuk arriti qëllimin për të deligjitimuar asnjë institucion të PD. Po ashtu herën e kaluar në këtë Këshill u votua me votim të hapur dhe nuk kishte asnjë kontestim dhe rrethanat e reja.

Por këto rrethana dhe pritshmëria e demokratëve dhe shqiptarëve tashmë nga ne është shumë më e madhe.Kështu disa problematika të ngritura janë shqetësime për demokratët, dhe duke qenë se kjo mbledhje është mbledhja e parë pasi Kuvendi Kombëtar i datës 18 Dhjetor zgjodhi të ardhmen duke u ndarë nga çdo praktikë e keqe e së shkuarës në radhë të parë.

Personalisht kam bërë dhe do bëj betejë për demokratët, e mendoj që gara është themeli se si mund të përmirësohet shtëpia jonë PD. Duke qenë se jam i zgjedhur vetë anëtar kryesie dhe nuk kam ambicie të tjera, propozoj që të kemi votim të fshehtë dhe të propozoni alternativa të tjera për pozicionet.

Basha: Propozime të tjera ka?

Roland Bejko: Unë jam dakort që të kemi votim dhe të kenë kandidatura alternative sepse do të kishin më shumë legjitimitet

Spiro Cura: Jam dakort ose që të paktën kandidaturat e propozuara të dalin dhe të mbajnë një fjalë para se të zgjidhen.

Basha: Diskutim tjetër kundër…

Jemin Gjana: Kjo është e njëjta trupë që ka qenë dhe herën e kaluar, jam dakort me propozimin e Salianjit dhe Bejkos që të paktën nga hera tjetër të procedojmë ne këtë mënyrë por sot kjo trupë duhet të votojë siç ka votuar herën e kaluar dhe të themi të vërtetën që në këtë parti kështu janë zgjedhur përherë mos bëjmë sikur nuk kemi qenë këtu.

Gazment Bardhi: Propozimi i kryetarit është ky dhe nëse ka propozime alternative të mblidhen nga firmat e 1/4 të anëtarëve të Kuvendit.

Top Channel