Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të enjten e ka konsideruar skandalin e publikimit të pagave një skemë kriminale, duke theksuar se ndjesa e kryeministrit Edi Rama ishte sa për të kaluar radhën.

“Si asnjëherë shqiptarët po përballen me një furi skandalesh që ndjekin njëra-tjetrën orë pas orës. Ka plasur një skandal tjetër që në cdo vend normal do ishte pasuar nga dorëheqja e kryeministrit. Edi Rama jo vetëm nuk ka dhënë dorëheqjen por tha që ishte problemi i bravave të AKSH-it. Filloi me patronazhistët në funksion të masakrës zgjedhore të 25 prillit. Ju përfaqësuesit e mediave i keni transmetuar qëndrimet tona se të dhënat më sensitive të qytetarëve të aksesueshme në mënyrë të paligjshme nga qeveria i ishin vënë në shërbim shtabit elektoral të PS. Skandali i rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve shqiptar është konfirmim i krimit elektoral”, tha Basha.

Basha shtoi se deklarata e kryeministrit mbi marrjen e tyre si copa-copa, konfirmon denoncimin e selisë blu.

Skandali i rrjedhjes së të dhënave, është konfirmim i skemës kriminale të krimit elektoral të sistemit të patronazhistëve. Edi Rama e di këtë, dhe kjo është arsyeja pse i mbron publikisht ata”, tha më tej kryedemokrati.

Numri një i demokratëve theksoi se në një shtet normal “patronazhistët duhet t’i priste ndjekja penale, madje dhe dënimi me burg”.

Është skandaloze, do ishte skandaloze edhe po të ndodhte para 12 apo 13 vitesh, kur morëm ftesën për në NATO. Është dyfish skandaloze sot, sa i takon aftësisë së vendit për të mbrojtur të dhënat personale. Është skandaloze, sepse vjen pas një sërë skandalesh që kanë përfshirë këtë qeveri, që në fillimet e qeverisjes”, tha gjatë fjalës së tij Basha.

Ai theksoi se kryeministri Rama sot duhet të jepte dorëheqjen dhe pastaj të kërkonte falje. Sipas tij, kryeministri po kërkon të zvogëlojë një skandal të tillë që cenon sigurinë familjare me një çështje teknike bravash.

“Nuk është çështje e një punonjëse që paska pasion të ketë në xhep pagat e 630 mijë shqiptarëve. Ky është një akt kriminal i përmasave të tilla që nuk ka urdhër ta bëj realitet, përveç përfshirjes së personave më të fuqishëm politik në vend”, tha Basha.

 

Top Channel