Janë një sërë studimesh akademike, por edhe të dhënat nga spitalet britanike, ata faktorë që kanë çuar në shtimin e zërave dhe kërkesave ndaj Boris Johnson që të anulojë disa kufizime për shkak të “Omicronit”, të cilat siç kemi njoftuar edhe më herët nuk pritet të bëhen përpara Krishtlindjeve.
Profesor Neil Ferguson, i njohur ndryshe si “Profesor Lockdown-i”, i cili paralajmëroi javën e kaluar se mund të kishte deri 5000 vdekje në ditë në Britani, ka deklaruar tashmë se vala e katërt nuk ka për të qenë kurrsesi si vala e parë vitin e kaluar kur spitalet britanike ishin të tejmbushura me pacientë.
Ekipi i tij në Kolegjin Perandorak të Londrës, ka zbuluar se Britaniket që janë prekur nga Omicroni kanë 15 deri 20 përqind me pak gjasa të shtrohen në spitale krahasuar me ata që preken nga varianti Delta. Ndërkohe studime të tjera kur janë analizuar 300 mijë veta nga 1 deri më 14 dhjetor tregojnë se shanset për tu shtruar nëpër spitale janë akoma edhe më të vogla, ose 40-45 përqind me pak.
Ndërkohë që një studim i ngjashëm në Skoci zbuloi se shanset janë 65 përqind me pak me shtamën e Omicronit sesa me atë të “Deltas”. Ndërkohe sipas të dhënave nga spitale rezulton se shumica dërrmuese e të infektuarve dhe të shtruarve në gjendje të rëndë janë persona të pavaksinuar, kur mendohet se afro 5 milionë britanik nga 68 milionë banorë qe ka Britania, janë ende të pavaksinuar, ku shumica janë në Londër.
Sakaq Britania duke ndjekur edhe shembullin e Gjermanisë dhe Izraelit po shqyrton mundësinë e një vaksine të katërt, sidomos për të moshuarit dhe ata me shëndet të dobët, vaksinë e cila mund të bëhet 4 muaj pas dozës së tretë.
Top Channel