Kopshti Zoologjik i Tiranës, tërësisht i transformuar dhe i rikonceptuar për t’iu përshtatur vizitorëve, por edhe kafshëve që do të jetojnë aty, është në rrugë të mbarë për të përfunduar brenda një kohe të shkurtër.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vizitoi kantierin në të cilin po kryhen tashmë punimet e fundit, tha se ky investim është dhuratë për fëmijët e kryeqytetit.
“Kopshti Zoologjik do i shtojë patjetër vlerë Tiranës, e sidomos lagjes këtu, e cila edhe më parë kishte vlerë, por imagjino një Kopsht Zoologjik, që lëngonte prej vitesh – si shumë prej kafshëve që kanë qenë pjesë e komunitetit zoologjik këtu, ashtu lëngonte edhe komuniteti kur shikonte se Kopshti Zoologjik ishte kthyer në një landfill. Sigurisht, punët nuk bëhen të gjitha menjëherë. Filluam njëherë nga Sheshi “Skënderbej”, pastaj Pazari, pastaj Unaza e Vogël, tani vazhdon Unaza e Madhe, Kalaja, Liqeni dhe më në fund, jemi pak kohë larg nga hapja e Kopshtit Zoologjik”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se janë porositur edhe lloje të tjera kafshësh, që do i shtohen Kopshtit Zoologjik.
“Kemi porositur, me këmbënguljen dhe mundësitë e kryeministrit, për disa kafshë ekzotike, luanë, tigër, të cilët janë në proces për të ardhur këtu. Edhe kjo procedurë ka burokracitë e saj sepse nuk është aq e lehtë transporti i kafshëve të tilla. Por, më vjen mirë që 90% e shtëpive të specieve që kishim, apo të tjerat që kemi në plan për t’i sjellë në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, tashmë janë gati”, u shpreh ai.
Top Channel