Njëzetë e nëntë anëtarët e Komisionit të Rithemelimit të enjten i kërkuan Lulzim Bashës të lirojë ambientet e punës së kryetarit të partisë, duke i vendosur si afat përfundimtar datën 5 janar ose përndryshe, sipas tyre, anëtarësia e PD-së do të jetë e detyruar të shndërrohet në përmbarues të këtij vendimi politik.

Një nga anëtarët e këtij komisioni, Belind Këlliçi, theksoi se shkresa do i dërgohet përmes postës Lulzim Bashës, ndërsa do vihen në dijeni edhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë.

Ai tha se Kuvendi i Partisë Demokratike me datë 11 dhjetor vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar partie, por shtoi se pavarësisht nenit 43 të Statutit, kjo vendimmarrje mund të ishte vetëm e Kuvendit, ky i fundit, sipas tij, në respekt të mijëra demokratëve vendosi të ratifikonte vendimmarrjen përmes një referendumi të mbajtur, sipas parimit një anëtar një votë.

Rezultati i tij përfundimtar sanksionon që 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj”, tha Këlliçi.

Ai, deklaroi se Komisioni i Rithemelimit të PD me anë të këtij komunikimi zyrtar e fton të njihet me vullnetin e PD-së dhe organeve më të larta.

Kërkohet nga ana juaj që të merrni të gjitha masat përkatëse për t’a jetësuar vullnetin e qartë të demokratëve, të shprehur nëpërmjet vendimit të Kuvendit dhe referendumit si mekanizëm i demokracisë së drejtpërdrejtë, duke liruar ambientet e punës së Kryetarit të Partisë, si dhe duke kryer menjëherë dorëzimet përkatëse te Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PDSH, deri më datë 05/01/2022”, tha Këlliçi.

Sipas tij, refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit të 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit, do detyrojë anëtarësinë e PD-së të shndërrohet në pëmbaruesin e këtij vendimi politik.(letra)

Kuvendi i thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij votoi më 11 dhjetor për shkarkimin e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa një javë më vonë gjithçka u vulos sipas parimit një anëtar një votë.

Sipas iniciuesve të këtij referendumi, për largimin e Bashës nga kreu i PD-së votuan 43,385 anëtarë të kësaj partie.

Komision për Rithemelimin e PD-së i përbërë nga 29 anëtarë, përfshirë z.Berisha, pretendon se do të jetë institucioni Kolegjial që do të drejtojë partinë deri në Kuvendin e ardhshëm më 22 Mars 2022, ku do të zgjidhen strukturat e reja drejtuese.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel