Marina amerikane përdori një armë lazër ndaj një objektivi lundrues në brigjet e Jemenit, një hap ky i rëndësishëm sa i takon forcimit të sigurisë kundër objektivave më të vegjël, si varkat e vogla të ngarkuara me bomba dhe anijet e sulmit të shpejtë.
Demonstrimi u krye nga luftanija USS Portland që përdori sistemin e goditjes me lazer kundër një shënjestre në Gjirin e Adenit, trupi ujor që ndan Afrikën Lindore nga Gadishulli Arabik.
Flota e 5-të e marinës me bazë në Lindjen e Mesme tha se prova doli me sukses. Përpara kësaj, Portland përdori lazerin edhe për të rrëzuar një dron.
Gjiri i Adenit ndodhet përgjatë bregut jugor të Jemenit të shkatërruar nga konflikti.
Vendi është në luftë civile që kur rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin e tij, Sanaa, në vitin 2014. Por testi vjen edhe në një kohë tensionesh të larta të SHBA-së dhe NATO-s me Rusinë, në mesin e raporteve se ajo po përgatit një sulm mbi fqinjin e saj, Ukrainën.
Washingtoni për momentin e ka bërë të qartë se nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë dhe se do ta gjunjëzojë Rusinë me sanksione nëse sulmon, megjithatë Moska deri tani nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet përballë masave ekonomike.
Top Channel