Manifestimi i protestës që ish kryetari demokrat Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, organizuan mbrëmjen e një dite më parë në Tiranë kundër projektit “Ballkani i hapur” dhe vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, mori ngjyrime të tjera në mediat serbe.
Titujt e tyre përshkruajnë më tepër një atmosferë lufte sesa një tubim pakënaqësie.
Gazetarë në Kosovë publikuan disa prej titujve bombastikë të atyre që njihen dhe si gazetat e Vuçiçit. “Egërsi në protestën e Tiranës: Ekstremistët shqiptarë djegin flamujt serbë”, “ Pamje rrëqethëse nga Tirana: Atmosferë linçimi dhe djegie e flamurit serb”, “Egërsi në Tiranë: Pjesëmarrësit e protestës djegin flamurin serb”, “Protestë në Tiranë kundër kryetarit të Serbisë: Snajperistë në ndërtesa, ekstremistët planifikojnë diversion në kolonën e Vuçiçit”, ishin disa prej këtyre titujve.
Në fakt, manifestimi u zhvillua qetësisht, me përjashtim të disa flamujve serbë të cilët u dogjën nga grupe të vogla protestuesish. Nisma Ballkani i hapur ka hasur në kundërshtitë e forta të qeverisë së Kosovës, ndërsa kanë refuzuar t’i bashkohen edhe Bosnja e Mali i zi, që po ashtu e shohin atë me skepticizëm.
Top Channel