Kryeministri Edi Rama, gjatë mbajtjes së samitit të “Open Balkan” në Pallatin e Brigadave në Tiranë tha se tre vendet anëtare të nismës do të vijojnë të ecin para dhe ata që do të duan të bëhen pjesë e kanë akoma derën e hapur.
“Ne do të vijojmë të ecim para, vendet e tjera do e kenë të hapur derën. Do të duhet një numër shumë i kufizuar dokumentacioni për industrinë e mishit, i cili po vuan shumë nga izolimi, hapja e tregut të lirë për fermerët dhe të gjitha produktet bujqësore. Një nga gjërat që na thanë në momentin që i pyetëm ishte si t’i mbijetojnë stresit të mënyrave të ndryshme të punës me doganat. Kur thonë nuk duam Ballkanin e Hapur, por Procesin e Berlinit, do të thotë që duan diçka tjetër”, tha Rama.
Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.
Do të nënshkruhen rreth 5 marrëveshje:
1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
Top Channel