Vladimir Putin deklaroi se Moska është e gatshme të ndërmarrë masa “ushtarake-teknike” në përgjigje të atyre që i cilësoi si veprime “jomiqësore” të Perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.
Për javë të tëra, presidenti rus ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n se kanë nxitur rritjen e tensioneve në afërsi të kufijve të Rusisë, por këto janë deklaratat e para që lënë të kuptohet hapur për një konflikt të mundshëm.
“Nëse vazhdon ky qëndrim dukshëm agresiv i kolegëve tanë perëndimorë, ne do të ndërmarrim masa e duhura ushtarake-teknike. Rusia do të reagojë ashpër ndaj hapave jomiqësorë. Ne kemi të gjithë të drejtën ta bëjmë një gjë të tillë”.
Që prej mesit të muajit nëntor, Shtetet e Bashkuara kanë ngritur alarmin se Moska mund të jetë duke përgatitur një sulm të shkallës së gjerë në Ukrainë dhe e ka paralajmëruar Putinin se në rast se do të ndodhë një gjë e tillë, Moska do të përballej me sanksione të paprecedentë.
Qeveritë perëndimore e kanë akuzuar Moskën se ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufirit në lindje të Ukrainës, ku Kievi po lufton me separatistët pro-rusë që prej vitit 2014.
Rusia nga ana e saj mohon planet për pushtimin e vendit fqinj, dhe kërkon siguri nga SHBA-ja dhe NATO-ja, që aleanca nuk do të zgjerohet në lindje.
Top Channel