Kur komuniteti amerikan i inteligjencës mblodhi të dhënat e para se Rusia po përgatitej për një sulm të ri në Ukrainë, presidenti Joe Biden i kërkoi administratës së tij të vepronte sa më shpejt.
I shqetësuar nga mundësia e përsëritjes së gabimeve të bëra në 2014-tën, kur Shtetet e Bashkuara dhe Europa u zunë në befasi nga aneksimi i Krimesë, Biden udhëzoi ekipin e sigurisë kombëtare të përdorë çdo mjet të mundshëm për ta zbrapsur Putinin nga planet e një pushtimi, edhe pse ai mund të ishte muaj larg tha për CNN një zyrtar i lartë amerikan.
“Ajo që kemi bërë është një përllogaritje shumë e kujdesshme. Por kemi vetëm një dritare katër javore kohe nga ky moment”, u shpreh ai.
Përgjigja e Uashingtonit nisi me një aktivitet të ngjeshur diplomatik dhe dërgimin e kreut të CIA-s, Bill Burns në Moskë. Por ndërsa trupat ruse vazhdonin grumbullimin në kufi, diplomacia e qetë u la mënjanë e vendin e saj e zunë kërcënimet publike.
Kërcënimet për sanksione, nuk duhen marrë lehtë, sipas zyrtarit në fjalë. Sanksionet që iu vendosën Rusisë pas marrjes së Krimesë nuk ishin asgjë krahasuar me ato që po planifikohen tani, e që do t`i shkaktojnë plagë të mëdha me kosto të ndjeshme ekonomisë ruse dhe sistemit të tyre financiar.
Ndërkohë, ka dhe koordinim shumë më të mirë të NATO-s, G7-tës dhe aleatëve europianë. Amerikanët e pranojnë nga ana tjetër se edhe Rusia po përgatit diçka më të madhe se në 2014-tën, dhe trupat që ka grumbulluar tani në kufi, e eklipsojnë shumë angazhimin që pati në rastin e Krimesë.
Top Channel