Partia Demokratike ka njoftuar këtë të martë se do të mbledhë me datë 23 dhjetor Këshillin Kombëtar.
Takimi do të zhvillohet në orën 17:30 në sallën e mbledhjeve, në katin e dytë të selisë blu.
Mbledhja e radhës, vjen pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar me datë 18 dhjetor.
Në rendin e ditës do jenë dy çështje kryesore që do diskutohen dhe që lidhen me përjashtimin nga funksionet drejtuese në parti të çdo individi që është shpallur person “non grata” nga SHBA-të.
Miratimi i këtij propozimi e nxjerr Sali Berishën jashtë dy organeve më të larta drejtuese, Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar dhe e vetmja pikë që e mban të lidhur ish-liderin e së djathtës me PD-në e Bashës është karta e anëtarësisë të cilën e mban që nga dita kur themeloi partinë.
Vendimi i dytë shumë me rëndësi, është shpallja nul e Kuvendit të datës 11 dhjetor, i thirrur nga Berisha.
Ky Kuvend, për Bashën, ka qenë a priori nul. Por, një vendim përfundimtar statutor dhe i kaluar në Këshill, do t’i jepte goditjen përfundimtare, atij që kryedemokrati dhe të tjerë, e kanë përshkruar si “tubim”.
Kuvendi i 11 dhjetorit – dhe një kuvend rival një javë më vonë – shënoi kulmin e një lufte të shëmtuar tre mujore mbi lidershipin e Partisë Demokratike të opozitës.
Në një anë qëndron Berisha, pjesë e politikës shqiptare që nga rënia e komunizmit tre dekada më parë dhe në anën tjetër është Lulzim Basha, njeriu që Berisha promovoi nëpër radhët e partisë dhe të cilit përfundimisht i dorëzoi frenat e saj në vitin 2013.
Kuvendi shkarkoi me votim të fshehtë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha me propozimin e 7 deputetëve dhe 15 për qind të delegatëve. Ai u shkarkua për thyerje të rënda të statutit dhe dëmtim të interesave politike dhe elektorale të saj. Por, jo vetëm. Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, i mbledhur nga njëra palë ka shkarkuar gjithë kupolën drejtuese të partisë dhe ka zhveshur nga funksionet edhe Kryesinë e saj me argumentin se nuk janë zgjedhur në konform statutit.
Me ndryshimet në statut, servirur vetëm të shtunën delegatëve, Kuvendi ka shfuqizuar edhe vendimin e Lulzim Bashës për të pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, Sali Berishën.
Situata pas mbajtjeve të dy kuvendeve është bërë akoma edhe më kaotike, ku i paraprihet një procesi paralel brenda PD-së, një përfaqësohet nga strukturat zyrtare dhe tjetra nga një komision i përkohshëm rithemelimi që do të pushojë së ekzistuari me 22 mars të 2022, atëherë kur është thirrur një Kuvend i ri nga njëra palë.
Top Channel