Gjirokastër/ Sekuestrohet 8 mijë euro mall pa akcizë, arrestohen dy drejtuesit e autobusit. Procedohen edhe dy doganierë

21/12/2021 16:22

Policia e Gjirokastrës ka goditur një rast të kontrabandës së mallrave për të cilat duhet të paguhej akcizës, por që rezultonte e papaguar. Kështu janë arrestuar dy drejtuesit e autobusit në Kakavijë dhe janë proceduar penalisht dy doganierë, për shpërdorim detyre.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kontrabandës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit Gj. V., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Xh., 50 vjeç, banues në Berat (drejtues të autobusit).

Arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në mjetin autobus që këta shtetas drejtonin, në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, Gjirokastër, u gjetën mallra (veshje, produkte kozmetike dhe 40 steka me cigare), të cilat këta shtetas i kanë futur në Republikën e Shqipërisë, pa i deklaruar në Degën Doganore Kakavije.

Në përfundim të veprimeve hetimore u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasit Y. R., 50 vjeç dhe E. H., 47 vjeç banues në Gjirokastër, me detyrë doganierë në Degën Doganore Kakavije”, njofton Policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mallrat. Vlera totale e mallrave shkon rreth 8000 euro.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA