Fatjon Dauti shkelmoi derën e mbledhjeve në selinë blu/ Reagon PD: Selia e demokratëve s’mund të sulmohet me trafikantë droge!

21/12/2021 17:37

“Sjellja nga Sali Berisha në selinë e Partisë Demokratike e bosëve të krimit të organizuar, me në krye Fatjon Dautin, është akti më i shëmtuar që ka ndodhur në këto 31 vite të ekzistencës së PD”, kështu e ka nisur reagimin e saj Partia Demokratike, për rastin e shkelmimit të derës së mbledhjeve të selisë blu nga i riu Fatjon Dauti, shoqëruesi i ish-kryeministrit Sali Berisha.

Më tej në deklaratën e PD-së thuhet se përpjekjet për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës së bosëve ndërkombëtarë të krimit të organizuar, janë akte tipike të një celule ilegale, ndërsa theksohet se Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij.

“Selia e demokratëve nuk mund të sulmohet me trafikantë droge. Kjo parti s’ka asnjë lidhje me trafikantët e drogës, as me bosët e krimit të organizuar. Përpjekjet për të zëvendësuar institucionet e partisë me aktet e dhunës së bosëve ndërkombëtarë të krimit të organizuar, janë akte tipike të një celule ilegale. Institucionet e partisë kanë marrë vendimet e tyre, duke vendosur përfundimisht të zgjedhin të ardhmen, interesin e demokratëve, Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. 

Fyerja e pashembullt nga Sali Berisha drejtuar 5004 anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të PD, shumicës dërrmuese të këtij organi, duke i etiketuar si socialistë, ekstremistë të majtë, enveristë të thekur, është shprehja më e qartë që Sali Berisha ka zgjedhur të shkelë mbi çdo demokrat që i shërben interesit të demokratëve, interesit të PD dhe jo interesit personal të tij. Është fakt që shumica dërrmuese e Kryesisë së Partisë, e Këshillit Kombëtar dhe e Kuvendit Kombëtar, kanë zgjedhur të ardhmen dhe interesin e Partisë Demokratike, duke mos lejuar bunkerizimin e PD për hallet personale të askujt”, përfundon deklarata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA