Komisioni Evropian më 21 dhjetor njoftoi se njeh certifikatat për vaksinimin kundër koronavirusit që lëshohen nga autoritetet në Mal të Zi.

Komisioni konfirmoi se certifikatat për COVID-19 që lëshohen nga Mali i Zi janë “të barasvlefshme me certifikatat digjitale të COVID-19 që lëshohen nga Bashkimi Evropian”, tha ky institucion i BE-së përmes një deklarate.

Përveç Malit të Zi, BE-ja ka vendosur që të njohë edhe certifikatat e Tajvanit, Tajlandës, Tunizisë dhe Uruguait. Sipas njoftimit, ky vendim i KE-së do të hyjë në fuqi më 22 dhjetor.

“Ky vendim del pas vlerësimit teknik të kryer nga shërbimet e BE-së për certifikatat që lëshohen nga këto pesë shtete dhe territore, dokumente të cilat do të inkorporohen në sistemin e BE-së. Blloku evropian do të trajtojë certifikatat e këtyre shteteve siç bën me certifikatat për COVID-19 të BE-së”, tha Komisioni Evropian.

Ky vendim nënkupton se çdo person që posedon certifikatë të lëshuar nga Malin i Zi mund ta përdorë atë me të njëjtat kushte sikurse një person që posedon certifikatën digjitale të BE-së për COVID-19.

Nga shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë kanë marrë konfirmimin për njohjen e certifikatave të tyre.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina janë shtetet e vetme në rajon, certifikatat e të cilave ende nuk njihen nga BE-ja./Rel

Top Channel